Sulmohen kampet me palestinezë! Ushtria izraelite qëllon drejt tendave të të zhvendosurve në Gaza, 13 viktima

22/07/2025 12:09

Në Gaza nuk ka paqe! Palestinezët e zhvendosur pas thirrjeve të ushtrisë izraelite nëpër tenda në afërsi të detit janë qëlluar mbrëmjen e djeshme nga forcat e ushtrisë izraelite.

Mediat vendase thonë se të paktën 13 persona kanë vdekur dhe 25 të tjerë janë plagosur. Kampi në perëndim të Gazës strehonte banorë të zhvendosur nga zona të tjera të Rripit Verior.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ofensiva tokësore e Izraelit në Gazën qendrore ka kompromentuar përpjekjet e saj për të vazhduar punën, pasi objektet e saj u sulmuan.

Sipas BBC, agjencia e OKB-së ka akuzuar gjithashtu forcat izraelite për sulmin e një ndërtese ku ndodhen stafi i saj dhe familjet e tyre në qytetin Deir al-Balah të hënën dhe për keqtrajtimin e atyre që ndodheshin atje.

Depoja e saj kryesore u sulmua dhe u shkatërrua gjithashtu. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar deklaratat, duke u mjaftuar të theksojë se operacioni në Deir al-Balah është më i madhi i nisur që nga fillimi i luftës me Hamasin 21 muaj më parë.

OKB ngre shqetësimin se me këto veprime Izrali po këput litarët e fundit të shpëtimit që mbajnë njerëzit gjallë në Gaza.

“Siç e dini mirë, gjatë fundjavës, ushtria izraelite lëshoi një tjetër urdhër zhvendosjeje në Deir el-Balah, që përfshin katër lagje. Kolegët tanë të çështjeve humanitare paralajmëruan se urdhri i zhvendosjes masive i ka dhënë një tjetër goditje shkatërruese linjës tashmë të brishtë të jetës që mban gjallë njerëzit në të gjithë Rripin e Gazës”, thotë Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Që nga nisja e luftimeve nga Gaza janë zhvendosur dhjetëra mijëra civilë palestinezë, mes paralajmërimeve për një krizë të rëndë urie në të gjithë territorin.

Top Channel