Sindroma e Lazarusit, burri 78-vjeçar kthehet në jetë gjysmë ore pasi mjekët e shpallën zyrtarisht të vdekur

22/07/2025 16:50

Një incident i pabesueshëm ndodhi në Tarquinia të Italisë, kur një burrë 78-vjeçar u “ringjall” pak pasi u shpall zyrtarisht i vdekur.

78-vjeçari pësoi dy arreste kardiake. Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për ta ringjallur, mjekët e shpallën të vdekur.

Burri u vendos në barelë dhe më pas në një ambulancë jashtë shtëpisë së tij. Të afërmit, së bashku me mjekët dhe infermierët, pritën që të vinte makina e varrimit për ta marrë.

Megjithatë, pas rreth 30 minutash, ai hapi sytë, filloi të lëvizte dhe pyeti se ku ishin fëmijët e tij. Ai u dërgua menjëherë në spitalin më të afërt. Gjendja e tij, siç u bë e ditur, është e qëndrueshme dhe ai po komunikon normalisht.

“Sindroma e Lazarus”

Sipas ekspertëve, me shumë gjasa bëhet fjalë për të ashtuquajturën “sindromë Lazarus”, e cila ka të bëjë me pacientët, zemrat e të cilëve kanë pushuar së rrahuri, pas një periudhe relativisht të shkurtër kohore, ata kthehen në jetë. Është një riaktivizim spontan i funksioneve jetësore të trupit.

Deri më tani, nuk ka një shpjegim zyrtar se si funksionon sindroma. Shumë mjekë besojnë se mund të jetë për shkak të ajrit që grumbullohet në gjoks, gjatë përpjekjeve të ringjalljes kardiopulmonare, ose për shkak të një efekti të vonuar të barnave të administruara, gjithmonë gjatë dhënies së ndihmës së menjëhershme.

Top Channel