
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.
“Çdo afat i detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë sot në esencë është kërkesë për sqarimin e pasojave juridike të moskonstituimit të kuvendit brenda 30 ditësh”, tha ajo.
Sipas Osmanit, qëllimi është që të sqarohet situata për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor dhe të sqarohen se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të
konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve,
që është Kuvendit.
Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.
Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.
Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.
“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai.
Kush sa vota i ka?
Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.
Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.
Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.
Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre./REL
Top Channel