“Nga një nismë e refuzuar në Tiranë në një Standard të ri Europian”, Majlinda Bregu: Liria pa përgjegjësi nuk është demokraci, por kaos

22/07/2025 18:44

Nga Majlinda Bregu

Nga një nismë e refuzuar në Tiranë në një Standard të Ri Europian

Pak ditë më parë, Këshilli i Europës përcaktoi qartë se gjuha e urrejtjes nuk përbën një formë të mbrojtur të lirisë së shprehjes, sipas Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky është një vendim me peshë: sepse rivendos ekuilibrin mes dy parimeve shpesh të ndeshura në hapësirat publike dhe digjitale, lirinë e shprehjes dhe dinjitetin e gjithkujt.

Neni 10 i Konventës është themelor për mbrojtjen e fjalës së lirë. Por ai nuk është absolut. Ky nen parashikon qartë se liria e shprehjes mund të kufizohet nëse kjo shprehje:

– cenon reputacionin ose të drejtat e të tjerëve,

– përbën gjuhë urrejtjeje apo nxitje dhune,

– ose kërcënon rendin publik në një shoqëri demokratike.

Në thelb, ligji europian e mbron fjalën, por jo fyerjen. E njeh kritikën, por jo poshtërimin.

Pak kujtesë: Shqipëri, viti 2015.

Në një kohë kur askush nuk donte të prekte fushën e rrezikshme të komenteve online, propozova një ndryshim të thjeshtë por thelbësor në Kodin Civil:

Që administratorët e portaleve të ishin ligjërisht përgjegjës nëse lejonin komente me gjuhë urrejtjeje që cenonin dinjitetin, personalitetin dhe reputacionin e individëve, duke njohur dëmin ndaj reputacionit si një dëm serioz që kërkonte ndërhyrje ligjore përtej fjalëve.

Mbajtja e përgjegjësisë nga mediumet online, sot po kthehet në parim bazë për të balancuar Lirinë dhe Përgjegjësinë.

Këshilli i Europës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kanë evoluar drejt pritshmërive për mekanizma “njoftim dhe heqje” për gjuhën e urrejtjes online.

– Vendimi Kuadër i BE-së 2008/913/GJHA dhe rezolutat e mëvonshme të Parlamentit Europian (p.sh. janar 2024) forcojnë sanksionet penale për nxitjen dhe krimet e urrejtjes.

Në 2015, nuk kërkova censurë. Kërkova përgjegjësi për “fshirje” të komenteve të padenja.

– Sot, Këshilli i Europës dhe GJEDNJ e kanë përfshirë këtë logjikë në standardet e reja, madje kanë evoluar drejt pritshmërive për mekanizma “njoftim dhe heqje” për gjuhën e urrejtjes online.

Nuk sulmova lirinë. Kërkova mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në një mjedis gjithnjë e më armiqësor, veçanërisht për gratë, viktimat e dhunës, zërat kritikë dhe figurat publike.

Por… në vend të reflektimit, hapja e këtij debati u shndërrua në një breshëri sulmesh.

Disa më akuzuan se po riktheja nenin famëkeq të Agjitacion-Propagandës nga diktatura.

Të tjerë, që e kishin ngritur lirinë e fjalës në nivelin e dogmës, më sulmuan si kërcënim ndaj demokracisë.

Ndërsa më të zellshmit, sharësit me pagesë, të punësuar nga zgripet e partive politike (përfshi edhe timen), dolën në ofensivë për të justifikuar normën ditore të punë–sharjes.

Propozimi u bllokua në parlament.

Dhe sot…

Sot, më shumë se një dekadë më vonë, institucionet europiane, Këshilli i Europës, më saktë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, po përqafojnë të njëjtin parim që atëherë u përqesh si “kërcënim”.

Po, platformave u kërkohet përgjegjësi.

Po, gjuha e urrejtjes kërkon ndëshkim, jo tolerim.

Po, liria e shprehjes ka kufi aty ku fillon dhuna verbale dhe poshtërimi.

Këto nuk janë më ide individuale. Janë standardet e reja të demokracive europiane.

E drejta vonon, por nuk harron!

Unë e di çfarë do të thotë të ngrihesh për një parim dhe të mbetesh vetëm.

E di si është të jesh e bindur që mbron diçka thelbësore, ndërkohë që të “stolisin” me fyerje dhe të drejtojnë gishtin.

Por gjithashtu e di, se kur koha flet për ty, nuk ke nevojë të mbrohesh më.

Nëse do të kthehesha pas?

Do ta propozoja sërish.

Por sot mjafton që Gjykatat kanë një vendim në dorë dhe një standard të cilin lehtësisht mund ta zbatojnë.

Sepse liria pa përgjegjësi nuk është demokraci. Është kaos.

Dhe dinjiteti nuk është opsion. Është detyrim i çdo shoqërie që e quan veten të qytetëruar.

Top Channel