
Një hetim i publikuar nga media e pavarur ruse në mërgim The Insider ka zbuluar se autoritetet ruse po përfshijnë në mënyrë sistematike fëmijët në zhvillimin dhe testimin e dronëve që përdoren në luftën kundër Ukrainës, përmes konkurseve kombëtare që fillojnë nga lojëra video të pafajshme dhe përfundojnë me rekrutimin e nxënësve më të talentuar nga kompanitë e industrisë së mbrojtjes.
Sipas hetimit, ky është një tjetër tregues i mënyrës se si Kremlini po e militarizon rininë ruse, duke e zhvendosur edukimin “patriotik” drejt pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në përpjekjet luftarake.
“Fëmijët janë aktivisht të përfshirë në modelimin e komponentëve për sisteme të ndryshme dronësh,” tha një adoleshent për The Insider. “Njoh disa persona që kanë punuar në ndërtimin e pjesëve të UAV-ve (dronëve pa pilot) për kompani të mëdha.”
Presidenti Vladimir Putin ka bërë thirrje për rritjen e prodhimit të dronëve, të cilët janë kthyer në një armë kyçe në vijat e frontit. Për të ecur përpara në këtë fushë, Rusia po kërkon talentët më të zgjuar nga radhët e të rinjve të saj, të cilët shpesh rekrutohen përmes rrugëve të maskuara si konkurse shkollore.
Njëra prej këtyre rrugëve është loja video Berloga, e lançuar në vitin 2022, ku arin “të zgjuar” mbrohen nga bletët sulmuese, duke përdorur herë pas here edhe dronë. Loja, e cila luhet nga qindra mijëra të rinj rusë, mund të sjellë përfitime në provimet e maturës për ata që shfaqin aftësi të veçanta.
Më pas, nxënësit më të suksesshëm kalojnë në konkurse më të avancuara si “Big Challenges”, ku talente të rinj spikasin dhe rekrutohen nga kompani që shpesh janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për përfshirje në industrinë ruse të mbrojtjes.
The Insider intervistoi tre finalistë adoleshentë që punonin në projekte të lidhura me dronë dhe që ishin plotësisht të vetëdijshëm për përdorimin ushtarak të projekteve të tyre. “Na ndalohej të thonim që projektet ishin për luftë. Gjithmonë sajonim një përdorim civil. Është një rregull i pashkruar që e kam parë në çdo konkurs,” tha një prej tyre.
Përveç dronëve të vegjël FPV, të cilët janë kthyer në armë vdekjeprurëse në vijën e frontit, Rusia po përdor edhe dronë me rreze të gjatë veprimi, si Geran-2, për të sulmuar objektiva në thellësi të territorit ukrainas. Sipas dokumentarëve të transmetuar nga televizioni ushtarak rus Zvezda, adoleshentë janë angazhuar drejtpërdrejt në ndërtimin e këtyre dronëve vetëvrasës në një fabrikë në Alabuga, në rajonin e Tatarstanit – e përshkruar si “prodhuesi më i madh në botë i dronëve sulmues”.
Pjesëmarrja e fëmijëve në objekte ushtarake, të cilat janë objektiva legjitime në kohë lufte, përbën shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare.
Pamjet e transmetuara tregojnë qindra dronë të përfunduar të rreshtuar në mënyrë të rregullt, ndërsa nxënës 14-15 vjeçarë studiojnë ndërtimin e dronëve në një kolegj pranë fabrikës. Ata shfaqen duke punuar në kompjuterë ose duke montuar pjesë të dronëve, me fytyrat e zbehura për të ruajtur identitetin.
Disa të mitur të kontaktuar nga The Insider treguan se kishin punuar drejtpërdrejt në objekte ushtarake. Një prej tyre, vetëm 13 vjeç në vitin 2022, tha se kishte trajnuar ushtarë në përdorimin e dronëve në një qendër shtetërore.
Gazetarët e The Insider, të detyruar të punojnë nga mërgimi për shkak të ndalimit të gazetarisë së pavarur në Rusi që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, u shtirën si përfaqësues të mediave shtetërore për të fituar besimin e të intervistuarve.
Hetimi ngre alarmin për përfshirjen e hershme të fëmijëve në industritë e luftës dhe shkeljet e mundshme të të drejtave ndërkombëtare, teksa Rusia intensifikon përpjekjet për të përgatitur brezin e ri për sfidat teknologjike të luftës.
Top Channel