
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, publikoi dokumente të deklasifikuara që, sipas saj, dëshmojnë një “komplot tradhtar” nga zyrtarë të administratës Obama për të fabrikuar idenë se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 me qëllim që të dëmtonte Donald Trump dhe të favorizonte Hillary Clinton.
Por sipas shqyrtimit të një raporti dypartiak të Senatit dhe burimeve të inteligjencës, akuzat e Gabbard janë “jashtëzakonisht mashtruese” dhe nuk përputhen me realitetin e hetimeve.
Dokumentet e publikuara nuk përmbysin vlerësimet e komunitetit të inteligjencës nga viti 2017, të cilat konfirmuan se Rusia ndërmori një fushatë ndikimi dhe sulmesh kibernetike me urdhër të Vladimir Putin për të ndihmuar Trumpin, pa ndërhyrë drejtpërdrejt në sistemet e votimit.
Zyrtarët e përfshirë në hetimet dhe raportet e inteligjencës kanë theksuar se nuk ka pasur asnjë provë që tregon se rezultati i zgjedhjeve është manipuluar përmes infrastrukturës zgjedhore.
Për më tepër, Komiteti i Inteligjencës së Senatit intervistoi analistët që hartuan raportin e vitit 2017, të cilët konfirmuan se dosja Steele nuk u përdor si bazë për analizat kryesore, përkundër pretendimeve të Gabbard.
Gabbard ka kërcënuar të referojë zyrtarët e administratës Obama për ndjekje penale, ndërsa publikimi i saj është përshëndetur nga Donald Trump, i cili e ka përdorur këtë çështje për të vazhduar narrativën e tij kundër të ashtuquajturit “shtet i thellë”.
Megjithatë, ekspertët e inteligjencës dhe senatorë si Mark Warner e cilësojnë këtë një tjetër përpjekje për të “rishkruar historinë” dhe për të cenuar besimin publik në institucionet e inteligjencës kombëtare.
Top Channel