“Bibi u soll si i çmendur”/ Sulmi i Izraelit në Siri, prestigjiozja italiane: Netanyahu ka shqetësuar SHBA

22/07/2025 12:04

“Bibi u soll si një i çmendur”. Prestigjiozja italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një shkrim të gjatë profilit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe shqetësimeve që kanë çuar lëvizjet e tij deri në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara.

Burime të sigurta pranë presidentit Trump i kanë konfirmuar gazetës se bindja që Netanjahu sillet si i çmendur, duke bombarduar çdo gjë që i del përpara, është rrënjosur më shumë pas ndërhyrjes së tij ushtarake në Siri.

Të njëjtat burime thonë se veprimet e tij mund të dëmtojnë edhe qëllimet e vetë presidentit Trump.

“Çdo ditë ka diçka. Çfarë dreqin bën ai”, është ankuar një tjetër zyrtar amerikan, duke iu referuar goditjes së kishës në Gazë javën e kaluar.

Ishte pikërisht ky sulm, shton zyrtari amerikan, ai që detyroi Trump të telefononte Netanyahun për shpjegime. Një zyrtar tjetër citohet të ketë thënë se “Netanyahu është si një fëmijë që refuzon të sillet mirë”.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse edhe vetë presidenti Trump i ndan këto vlerësime për kryeministrin e Izraelit.

Trump ka krahasuar më parë Ukrainën dhe Rusinë me fëmijë që zihen në një park, duke shtuar megjithatë se ndonjëherë duhet t’i lejosh të vazhdojnë përpara se t’i ndalosh; dhe në rastin e Izraelit dhe Iranit, i frustruar para se të arrinin një armëpushim, ka thënë se “kanë kaq shumë kohë që luftojnë, saqë nuk e dinë më çfarë dreqin po bëjnë”.

Corriere della Sera shton se Trump e ka mbështetur qeverinë e përkohshme siriane të Ahmad al Sharaa dhe është angazhuar të heqë sanksionet kundër Sirisë, me shpresën që Damasku të njohë Izraelin.

Nga ana tjetër, ngrihet shqetësimi për faktin se “Netanjahu e ndjen veten ushtarakisht pa kufizime si në rajon, ashtu edhe me amerikanët”.

Top Channel