Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë! Vijon gjyqi për të pandehurin Ruben Saraiva, dëshmon personi që i shiti motorin Edmond Haxhisë

21/07/2025 14:03

Vijon gjyqi për të pandehurin Ruben Saraiva për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Gjyqi prej disa kohësh po vijon me dëshmitarë, ku ditën e sotme në seancën gjyqësore kanë dëshmuar të afërm të Edmond Haxhisë, personi që ka shitur motorin, taksisti që ka transportuar Harry Simpson, administratori i hotelit ku qëndroi Harry Simpson.

Në deklaratën e tyre kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si në deklaratat e pare, ku i afërmi i Edmond Haxhisë ka deklaruar se në momentin që ka takuar Haxhinë në Velipojë mban mend që diku ka parë një person me ngjyrë por nuk ka arritur ta identifikojë nëse ka qenë Saraiva apo jo.

Po ashtu personi që ka shitur motorin ka deklaruar se nuk mban mend shumë gjëra sepse ka kaluar shumë kohë por deklaron se ka bërë deklaratën te noteri ku ka bërë përshkrimin fizik të personave që blenë motorin, ku dyshohet që sipas përshkrimit fizik të jetë Edmond Haxhia.

Gjyqi i radhës do të zhvillohet më datë 15 shtator.

Top Channel