Sanksione të reja për Rusinë nga Mbretëria e Bashkuar, britanikët synojnë të dëmtojnë industrinë ruse të naftës

21/07/2025 22:57

Britania vendosi sot sanksione të reja ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, duke synuar 135 cisterna së bashku me dy kompani ruse, kompaninë e transportit detar Intershipping Services LLC dhe kompaninë e tregtimit të naftës Litasco Middle East DMCC.

Cisternat janë thelbësore për sektorët e energjisë dhe naftës së Rusisë, me qeverinë britanike që pretendon se ato përbëjnë pjesë të një flote përgjegjëse për transportimin e ngarkesave me vlerë 24 miliardë dollarë deri në fillim të vitit 2024.

Sekretari i Jashtëm, David Lamy tha se sanksionet e reja do të “shkatërronin më tej” të ashtuquajturën “flotë në hije” të presidentit rus Vladimir Putin dhe do të shterojnë thesarin e luftës së Rusisë nga të ardhurat thelbësore të naftës.

Qeveria thotë se Intershipping Services LLC është përgjegjëse për regjistrimin e anijeve nën flamurin e Gabonit, gjë që u lejon atyre të transportojnë mallra me vlerë deri në 10 miliardë dollarë çdo vit në emër të shtetit rus.

Sanksione u vendosën gjithashtu ndaj Litasco Middle East DMCC për rolin e saj të vazhdueshëm në transportimin e vëllimeve të mëdha të naftës ruse, thotë qeveria britanike.

Moska i ka quajtur sanksionet perëndimore të paligjshme, duke thënë se ato destabilizojnë tregjet globale të energjisë. Të premten, Bashkimi Evropian miratoi raundin e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, duke përfshirë masa që synojnë dëmtimin e mëtejshëm të industrive të naftës dhe energjisë së Rusisë.

Në këtë kontekst, BE dhe Britania paraqitën plane për të ulur çmimin maksimal të naftës bruto nga 60 dollarë për fuçi në 47.60 dollarë, duke synuar të godasin të ardhurat e Rusisë nga nafta.

Top Channel