
Kryeministri Edi Rama njofton për miratimin e një ligji që parashikon krijimin e një liste të zezë për ndërtuesit që abuzojnë dhe shkelin ligjin në ndërtim.
Ai paralajmëron masa drastike ndaj ndërtuesve problematikë që cënojnë të drejtën e banorëve, që shesin nga disa herë hyrjet, dhe fton autoritetet të veprojnë shpejt për të zgjidhur këtë problem.
Edi Rama:
Në ndërkohë, një grup tjetër, që ka në përbërje një grup të konsiderueshëm pjesëmarrësish dhe anëtarësh që janë dhe këtu të pranishëm, një pjesë e tyre, pjesa e tyre më e madhe në fakt dhe ku edhe unë marr pjesë do merret me atë që e kam thënë që ditën e parë, paketën e re të reformës të territorit. Reforma e territorit do ketë dy faza. Do ketë një fazë imediate, kur qeveria do të ndërhyjë në kushtet e kësaj emergjence me një numër aktesh dhe një akt normativ dhe që besoj do të jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe për mbetjet.
Dhe do të ketë pastaj një fazë të dytë, pak më mbrapa, ku do të rishikohen në mënyrë përmbarësore dhe të detajuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin, i cili është një ligj shumë i vjetër dhe është prekur në dy, tre raste, por mbetet krejtësisht jashtë kohe.
Dhe jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme sipas nesh, por dhe shpresoj me një impakt të nevojshëm dhe të shumëpritur dhe nga njerëzit.
Së pari, kemi diskutuar për të ashtuquajtur “proces legalizimi”, që është një terminologji abuzive, e përdorur nga individë, subjekte, që për qëllime përfitimi fillojnë zaptime të hapësirës publike apo dhe të pronës së tjetrit dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin, që praktikisht i fut si individë në proces legalizimi. Ndërkohë që, procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në vitin 2020, në kuptimin që, asgjë e ndërtuar pas vitit 2020, nuk legalizohet dhe natyrisht është lejuar që të bëhen vetëdeklarime në vazhdimësi për t’i dhënë mundësi individëve, familjeve që të bëjnë vetëdeklarimin në kushte kur të mos e kenë bërë në afat, por jo që ndërto pas vitit 2020 dhe vetdeklaro dhe pastaj kur ka nevojë për të bërë ndërhyrje një bashki apo për të bërë ndërhyrje qeveria apo agjenci të ndryshme për investime në interes publik, dalin dhe thonë jemi në proces.
Këtë do ta adresojmë, e para duke i konsideruar të pavlefshme të gjitha vetëdeklarimet për godinat apo ngrehinat me qëllim fitimi, e theksoj këtë, me qëllim fitimi.
Nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë e familjeve që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën.
Jemi këtu për të diskutuar këtë mashtrim të madh përpara, të cilit për fat të keq janë mbyllur sytë për një kohë të gjatë në shumë pjesë të territorit dhe interesi publik do të prevalojë në të gjitha rastet, ku do të duhet të bëhet një ndërhyrje dhe askush nuk mund të nxjerrë përpara një copë letre dhe të thotë “jam në process” dhe nuk do humbitet as një minutë për t’i kërkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që të bëjë skualifikimin siç ndodh edhe sot.
E dyta, kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj, krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe të investitorëve që abuzojnë me territorin dhe që shkelin lejet e ndërtimit dhe kush hyn në listën e zezë, do të humbasë të drejtën për të marrë një leje ndërtimi dhe do të penalizohet në rast se do të përfshihet në industrinë e ndërtimit, për një numër të caktuar vitesh që do të vendoset.
Nga ana tjetër, do të marrim masat për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, që i njeh gjithë dynjaja, si ata mashtruesat te zona ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, ku nuk linin banorët që të futeshin në pallat, apo fatkeqësisht dhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë pa dokumentet hipotekore ose duke bërë edhe shitje të dyfishta të të njëjtave apartamente. Masat për këtë kategori do të jenë drastike dhe unë do t’u bëj një thirrje që të vrapojnë ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë, së shpejti ky akt normativ, se pastaj do gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë, do ta kenë shumë, shumë të vështirë dhe ne na intereson që të zgjidhet problemi dhe njerëzit të marrin atë që ju takon, në radhë të parë.
Ne kemi bërë disa ndërhyrje të arsyeshme në legjislacion mbas tërmetit, por përsëri ka pasur shumë devijime dhe te këto devijime kanë rol disa kategori, përfshirë dhe noterët dhe për këtë arsye, do ta adresojmë problematikën e sigurimit të ndërtimeve, jo thjeshtë si sigurim ndaj tërmetit, por në radhë të parë, sigurim në funksion të marrëveshjes me shtetin për lejen e ndërtimit dhe të marrëveshjes me blerësit për shtëpitë, apartamentet e banimit. Bashkë me sigurimin, jemi duke diskutuar dhe një garanci bankare për të gjithë ata që marrin leje ndërtimi.
Historia e së drejtës për të zhvilluar me të cilën është abuzuar në të gjitha format, duhet të adresohet si një çështje të drejte dhe detyrimi për të qenë transparent dhe për të qenë konform ligjit.
Top Channel