“Po u ndërtohet pa leje para syve”, Rama mesazh të prerë: Ndjekje penale për punonjësit e policisë dhe inspektorët! S’mund të luajnë me dy porta

21/07/2025 18:59

Kryeministri Edi Rama paralajmëron masa penale ndaj ndërtimeve pa leje që janë bërë apo po bëhen në sy të të gjithë punonjësve të shtetit që janë përgjegjës për identifikimin e tyre. 

Ai thekson se përfaqësuesit e shtetit duhet të marrin përgjegjësi dhe se policia ka detyrën të informohet për lejet e ndërtimit, ndërsa autoritetet bashkiake mbajnë përgjegjësi për kontrollin në terren.

Edi Rama:

Nga ana tjetër do të përfundojmë edhe një rregullore të administrimit të hapësirës publike, bazuar në një dokument, të bashkisë Tiranës, që do të rishikohet dhe do të adoptohet për t’u kthyer në një rregullore kombëtare të administrimit të hapësirës publike dhe që do t’i japë një drejtim të përgjithshëm të gjithëve, pra qoftë administratorëve të qytetit, qoftë edhe atyre që e përdorin qytetin, qoftë inspektorëve, qoftë edhe atyre që kanë njësitë e shërbimit, qoftë punonjësve e policisë, qoftë edhe qytetarëve, dhe pa diskutim, në këto masa do të vendoset edhe përgjegjësia penale e inspektorëve të mbrojtjes së territorit, e policëve bashkiakë dhe e policëve të shtetit, e punonjësve të policisë shtetit dhe shefave të komisariatëve, për çdo lloj ndërtimi pa leje që nuk ju ka rënë në sy, sepse e përsëris është e pakuptimtë që të vendosësh përgjegjësinë penale për një ngjarje, por ama kur bëhet fjalë për zhvillime që ndodhin me javë, me muaj, në sytë e të gjithëve dhe askush nuk i denoncon, atëherë, këtu është bashkëfajësi.

Dhe njerëz që përfaqësojnë shtetin nuk mund dot të luajnë me dy porta në këtë farë feje. Prandaj, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe ta mbulojnë territorin sipas përgjegjësisë që kanë dhe thjesht dhe vetëm të informojnë. Natyrisht që Policia e Shtetit nuk ka detyrë të merret në kontrollin e lejeve të ndërtimit, por do ta ketë  të detyruar të marrë përsipër dhe të informohet ka apo nuk ka leje ndërtimi, pastaj a po e zbaton, a s’po zbaton lejen si duhe, a po e respekton, apo s’po respekton rregullat e kantierit,  – kjo është një çështje e policisë bashkiake është  një çështje e inspektoriatit mbrojtës të territorit, dhe është dhe një çështje e atyre që bëjnë akt kontrollet.

Akt kontrollet nga ana e bashkisë që janë të gjithë për të shkuar për ndjekje penale për hir të vërtetës, sepse firmosin akt kontrolle sipas qejfit të ndërtuesve dhe edhe për këtë masat e reja do të penalizojnë çdokënd që merr përsipër të hedhin një firmë për një hapësirë që nuk figuron në lejen e ndërtimit, apo për një volum që është në shkelje të lejes së ndërtimit.

Këto janë pak a shumë disa pika kryesore të diskutimeve që kemi me grupin e punës. Besoj që edhe pak kohë dhe do të kemi një produkt, një draft përfundimtar, që patjetër do ta ndajmë pastaj me këdo që është i interesuar, përpara se ta kalojmë në qeveri dhe do ta kalojmë para përfundimit të pushimeve.

Përpara se të kaloj fjalën tek të tjerët dua të shtoj dhe një element tjetër që kam përshtypjen mbeti pa e thënë, lidhur me okupimin e një territori, brenda një hapësire të një komuniteti me pretendimin “është prona ime”. Kjo konsiderohet vepër penale. Pra, në rast se dikush me pretendimin se ka pronën e vet vendos një tra për të marrë para nga njerëzit, që jetojnë aty, se është prona e vet në mes të pallateve, kjo është vepër penale.

Ashtu sikundër, çdolloj okupimi tjetër, çdolloj zënie tjetër e rrugës, çdolloj bllokimi që i shkaktohet njerëzve ne jetën e tyre të përditshme me idenë që kjo është prona ime, është vepër penale.

Është diçka që e kemi konsultuar me të gjitha legjislacionet dhe nuk ndodh në një qytet me rend ligjor që dikush në emër të pronës së vet të bëjë çfarë të dojë, kur nuk është në pyll, por është në qytet dhe nga ana tjetër kemi adresuar me ligjin e fundit për bashkëpronësinë një element shumë të rëndësishëm që prej kohesh nuk është adresuar dhe prandaj ka prodhuar dhe probleme, elementin e bashkëpronësisë së truallit përreth një godine.

Pra nëse një grup pronaresh bëjnë marrëveshje me një ndërtues për të ndërtuar një pallat dhe ai pallat ndërtohet në një përqindje të atij territori që është prona, se nuk ndërtohet me vijën e pronës, por ndërtohet sipas logjikes së të gjithë bllokut të banimit, gjithçka tjetër që nuk përfshihet në trupin e pallatit nuk është më prona e pronarëve që ishin në fillim, kur bënë marrëveshjen, por njësoj sicc janë shkallët e brendshme, siç është tarraca, siç është çdo mjedis i përbashkët është pronë e përbashkët, e të gjithëve. Dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrë një masë ligjore për të prapa kthyer të gjitha llojet e dokumenteve që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të pronësisë së të gjithë këtyre komuniteteve.

Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë, të thotë unë jam këtu dhe kam këtë lokalin bashkë më këtë çatinë, ndërkohë që aty është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën se ndërkohë ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar.

 

Top Channel