“Fito” del para drejtësisë amerikane, ekstradohet lideri famëkeq nga Ekuadori

21/07/2025 09:28

Adolfo Macías Villamar, i njohur si “Fito”, një nga figurat më të fuqishme të krimit të organizuar në Ekuador, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara ku pritet të përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.

Macías, i cili drejtonte bandën famëkeqe Los Choneros, u rikap në qershor pasi kishte arritur të arratisej nga një burg i sigurisë së lartë ku po vuante një dënim me 34 vite burg për një sërë krimesh të rënda. Ai ishte në kërkim për më shumë se një vit.

Sipas autoriteteve amerikane, ai pritet të dalë të hënën përpara një gjykate federale në Bruklin, ku do të deklarohet i pafajshëm. Lajmi u konfirmua për Reuters nga avokati i tij, Alexei Schacht.

Los Choneros është një ndër grupet më të dhunshme të Ekuadorit dhe ka lidhje me kartelë të fuqishëm në Meksikë dhe rrjete kriminale në Ballkan. Macías dyshohet gjithashtu se qëndron pas urdhrit për vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023.

Kapja e tij u bë në qytetin bregdetar Manta, ku policia e gjeti të fshehur në një bunker të ndërtuar poshtë një vile luksoze. Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun më të sigurt të vendit, La Roca.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, e përshëndeti operacionin dhe njoftoi menjëherë nisjen e procedurave për ekstradim. Tashmë, autoritetet konfirmojnë se Macías është dorëzuar zyrtarisht tek SHBA.

Ekuadori, një vend i njohur dikur për turizëm, është kthyer në një nga qendrat më të mëdha të trafikimit të kokainës në rajon. Më shumë se 70% e kokainës që prodhohet në botë kalon përmes porteve të tij. Pozicioni gjeografik mes Kolumbisë dhe Perusë e ka bërë vendin një hallkë strategjike në rrjetet e narkotrafikut.

Në një referendum kombëtar, qytetarët ekuadorianë votuan pro lejimit të ekstradimit të shtetasve të vendit, një masë e propozuar nga presidenti Noboa si pjesë e ofensivës së tij kundër krimit të organizuar.

Top Channel