“Do sekuestrohen nga shteti të gjitha ndërtimet pa leje”, Rama: Objektet e braktisura që nga vitet 90, do konfiskohen

21/07/2025 18:54

Në një takim me drejtuesit e bashkisë Tiranë sot, kryeministri, Edi Rama foli për vendimet e mëtejshme që do të merren ndaj ndërtimeve pa leje që po zaptojnë hapësirën publike.

Kryeministri tha se shteti do të sekuestrojë të gjitha ndërtimet apo katet pa leje dhe do t’i vendosë ato në dispozicion të interesit publik. Sakaq, Rama shtoi se do të konfiskohen gjithashtu edhe ndërtesat e braktisura.

Nga ana tjetër, do marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri, që nga vitet ’90 që qendrojnë si karrakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve.

Nga ana tjetër, do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime, kur vjen puna te shkelja e lejeve të ndërtimit me mbi 2% të kufijve të lejes.

2% është një përqindje krejtësisht e arsyeshme që përdoret dhe në vende të tjera të botës, sepse gjatë realizimit të një projekti, mund të ketë devijime të natyrës teknike, por kur ky 2% kapërcehet, atëherë kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit. Jo të një pjese. Nuk mund të ketë një paligjshmëri të pjesshme.

Paligjshmëria është e plotë sepse shkelja në ndërtim dhe ndërtimi i kateve shtesë, ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi, nuk bëhen në një moment. Bëhen me muaj edhe me vite nganjëherë dhe janë një shkelje në vazhdimësi me vetëdije të plotë e ligjit. Kështu që, kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në duart e shtetit, i cili do të mbrojë blerësit, aty ku do të ketë blerës, dhe nga ana tjetër do të përdorë të gjithë pjesën tjetër për interes publik dhe për strehim të njerëzve në nevojë, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel