1200 të vrarë në Siri! Dhuna sektare ndalet nga bombardimet izraelite, qeveria siriane largon beduinët

21/07/2025 12:35

Një javë luftime të përgjakshme mes beduinëve sunitë dhe pakicës druze, rezulton të kenë marrë 1 mijë e 120 jetë njerëzish në provincën jugore të Sweida në Sirinë jugore.

Mes viktimave, observatori me seli në Britani thotë se janë 427 luftëtarë druzë dhe 298 civilë nga grupi minoritar, si dhe 354 personel sigurie qeveritar dhe 21 beduinë sunitë.

Banorët e qytetit Sweida, të cilët numërojnë rreth 150,000, janë mbyllur në shtëpitë e tyre pa energji elektrike dhe ujë, dhe furnizimet me ushqim kanë qenë gjithashtu të pakta.

Një fotograf i AFP tha se morgu në spitalin kryesor të Sweidës ishte plot dhe trupat ishin shtrirë në tokë jashtë ndërtesës. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për migracionin tha se më shumë se 128,000 njerëz në provincën Sweida janë zhvendosur për shkak të dhunës.

Trupat qeveritare siriane u tërhoqën nga jugu i Sirisë pas sulmeve izraelite, por edhe ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara që thanë se kishin negociuar një armëpushim midis qeverisë së Sirisë dhe Izraelit. Izraeli, i cili ka komunitetin e vet druz, ka thënë se po vepronte në mbrojtje të grupit, si dhe për të zbatuar kërkesat e tij për demilitarizimin total të jugut të Sirisë.

I dërguari special i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, tha të dielën se vendi ndodhet në një “udhëkryq kritik”, duke shtuar se “paqja dhe dialogu duhet të mbizotërojnë – dhe të mbizotërojnë tani”. Por pyetja më e shpeshtë e të gjithëve është pse ndodhi pikërisht tani ky përshkallëzim brenda Sirisë dhe pse ndërhyri Izraeli menjëherë.

Ekspertët thonë se zyrtarisht, të dyja vendet kanë qenë në luftë që nga viti 1967 kur Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit sirian, një pllajë me rëndësi strategjike në kufirin midis dy vendeve.

Në vitin 1981, Izraeli de facto aneksoi territorin, por bashkësia ndërkombëtare ende e konsideron atë territor sirian nën pushtimin ushtarak izraelit.

“Izraeli po përpiqet të krijojë një zonë tampon informale në Sirinë jugore”, tha këtë javë për Bloomberg Ryan Bohl, analist i Lindjes së Mesme.

Top Channel