
Tre persona kanë rënë në prangat e policisë, pas një aksioni në Durrës.
Gjatë operacionit policor të koduar “The Wrong Meeting” janë sekuestruar gjithsej 6.2 kg kanabis në formë boçeje (dyshohet e prodhuar me llampa), një armë zjarri pistoletë së bashku me një sasi municioni luftarak, dy jelekë antiplumb, pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, dy automjete dhe 6 aparate celularë.
Janë vënë në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë: Shaban Tusha, 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”;
Dario Sefa, 21 vjeç, banues në Peqin, Elbasan dhe J. B., 17 vjeç, banues në Golem, Durrës, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gersi Sallufi, 39 vjeç, dhe Mario Lluca, 33 vjeç, të dy banues në Peqin, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në zonën e Golemit gjatë shkëmbimit të një sasie kanabisi, ndërsa tjetri posedonte armën e zjarrit, një sasi tjetër të lëndës narkotike dhe pajisjet që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Në një parking në zonën e Golemit, Durrës u kapën në flagrancë Shaban Tusha dhe Dario Sefa, në momentin e shkëmbimit të një sasie lënde narkotike kanabis në formë boçeje me peshë 4.5 kg.
Nga hetimet e kryera, në këtë aktivitet ishte i përfshirë edhe shtetasi J. B., i cili banonte përkohësisht në një ambient pranë parkingut, ku pas kontrollit të ambientit ku banonte, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 1.1 kg lëndë narkotike kanabis.
Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.7 Tirane, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Shaban Tusha, u gjet dhe u sekuestrua 600 gram lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një armë zjarri e dyshuar pistoletë, së bashku me një sasi municionesh luftarake (fishekë), dy jelekë antiplumb, si dhe pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Nga hetimet ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë edhe shtetasit Gersi Sallufi dhe Mario Lluca, të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Top Channel