
Të paktën 19 persona kanë mbetur të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë, pas një incidenti me fishekzjarrë gjatë një shfaqjeje në qytetin perëndimor gjerman, Düsseldorf, njoftojnë autoritetet lokale.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes gjatë panairit tradicional “Rheinkirmes”, përgjatë lumit Rhein sipas CNN.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se fishekzjarrët shpërthyen në një nivel shumë të ulët, pranë tokës, duke shkaktuar panik dhe dëme te pjesëmarrësit.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, një fëmijë ndodhet mes të plagosurve. Shërbimet zjarrfikëse të qytetit konfirmuan se policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit.
“Mendimet tona janë me të prekurit dhe familjet e tyre. Urojmë një shërim sa më të shpejtë për të gjithë të lënduarit. E ndjejmë thellësisht keqardhjen për këtë aksident,” tha zëdhënësi Peter Dietlmaier.
Pas incidentit, organizatorët ndërprenë panairin për atë ditë dhe po shqyrtojnë nëse do të vazhdojnë traditën e fishekzjarrëve në edicionin e ardhshëm.
Panairi “Rheinkirmes” zgjat 10 ditë dhe përfshin atraksione argëtimi, shfaqje me drone dhe fishekzjarrë, si dhe aktivitete të tjera kulturore. Ai organizohet nga Shoqata e Qitësve “St. Sebastianus”, me traditë që nga viti 1316.
Top Channel