Ukraina kërkon rifillimin e negociatave me Rusinë, Zelensky gati të takohet me Putinin: Të përshpejtojmë ritmin për paqe

19/07/2025 21:24

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të shtunën se Kievi i ka propozuar Moskës zhvillimin e një raundi të ri bisedimesh për paqen javën e ardhshme, pas ngecjes së negociatave në fillim të qershorit.

Gjatë dy takimeve të mëparshme në Stamboll, palët nuk arritën një marrëveshje për armëpushim. Megjithatë, bisedimet sollën rezultate të pjesshme, si shkëmbime të mëdha të të burgosurve dhe marrëveshje për kthimin e trupave të ushtarëve të rënë në luftë.

“Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, raportoi se ka propozuar një takim tjetër me palën ruse për javën e ardhshme”, u shpreh Zelensky në fjalimin e tij mbrëmjen e së shtunës. “Ritmi i negociatave duhet të përshpejtohet”, shtoi ai.

Zelensky përsëriti gjithashtu gatishmërinë e tij për një takim ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin. “Një takim në nivel drejtuesish është i domosdoshëm për të garantuar paqe – paqe të qëndrueshme”, theksoi ai.

Rustem Umerov, ish-ministër i Mbrojtjes, u emërua javën e kaluar në krye të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, me një mandat të qartë për të rritur ritmin e procesit të negociatave.

Ndërkohë, Rusia po vazhdon ofensivën e saj intensive në lindje të Ukrainës, veçanërisht në rajonin e Donetskut. Moska ka shprehur gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve, por nuk ka tërhequr kërkesat e saj maksimale për përfundimin e luftës.

Në raundin e fundit të negociatave, Rusia paraqiti një listë kërkesash të ashpra, përfshirë dorëzimin e më shumë territoreve nga Ukraina dhe ndalimin e çdo ndihme ushtarake nga Perëndimi. Kievi i hodhi poshtë këto kërkesa si të papranueshme dhe vuri në dyshim vlefshmërinë e bisedimeve, nëse Moska nuk ishte e gatshme për kompromis.

Nga ana tjetër, Kremlini ka sinjalizuar këtë muaj se është i hapur për të vazhduar bisedimet, pas paralajmërimit të Presidentit amerikan Donald Trump se Rusia ka 50 ditë kohë për të arritur një marrëveshje paqeje ose do të përballet me sanksione të reja.

Presidenti Trump ka premtuar gjithashtu një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, e mbështetur nga aleatët e NATO-s, ndërkohë që qytetet ukrainase po përballen me sulme ajrore gjithnjë e më të shpeshta nga Rusia.

Të shtunën, sulmet e fundit ruse në territorin ukrainas morën jetën e tre personave të tjerë civilë.

Top Channel