Situata me zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 11 vatra ende aktive, apel qytetarëve për kujdes maksimal

19/07/2025 18:58

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, deri në orën 18:00 të së shtunës janë raportuar 22 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 11 janë shuar plotësisht, ndërsa 11 të tjera vijojnë të jenë aktive, me përfshirje të gjerë në disa qarqe.

Falë angazhimit të forcave operacionale në terren, janë neutralizuar plotësisht zjarret në këto zona: Bashkia Korçë; Bypass-i i Vlorës, Nj.A. Orikum; Vish, Himarë; Qeparo dhe Borsh, Nj.A. Lukovë, Himarë; Mborje, Nj.A. Drenovë, Korçë; Karpen, Nj.A. Golem, Kavajë; Velçë, Nj.A. Brataj, Selenicë; Karpen, Nj.A. Maminas, Shijak; Çerkezë-Morinë, Nj.A. Zall-Herr, Kamëz.

Ministria ka dhënë detaje të hollësishme për 11 vatrat që vazhdojnë të përbëjnë rrezik:

Parku Kombëtar i Lurës, Dibër

Zjarri që nisi më 7 korrik në “Liqenin e Luleve” vijon në dy vatra. Njëra përhapet drejt “Liqenit të Zi” dhe tjetra nga krahu i Gurë Lurës. Angazhuar janë 60 forca, mes tyre edhe nga FA.

Bulqizë

Në Nj.A. Shupenzë vijon vatra e riaktivizuar më 13 korrik. Në terren ndodhen 9 efektivë zjarrfikës dhe 4 forca të Shërbimit Pyjor.

Zall Gjoçaj, Mat

Zjarri në një zonë të thepisur po luftohet nga 60 forca dhe një helikopter i FA.

Dovolan, Dibër

Zjarri ka përfshirë pyje dushku dhe shkurre pranë zonave të banuara. Ndërhyrja po bëhet me 6 efektivë dhe një automjet zjarrfikës.

Belishovë, Mallakastër

Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po përballet nga mbi 90 forca nga strukturat zjarrfikëse, Albpetrol dhe Forcat e Armatosura.

Dukat, Vlorë

Në “Qafën e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, flakët kanë përfshirë edhe kurorën e pishave. Janë në veprim 29 forca nga MZSH, Shërbimi Pyjor dhe bashkia.

Shmil, Elbasan

Zjarri është përhapur në pyll gështenje, me vështirësi në ndërhyrje për shkak të terrenit të thyer.

Kodër Kraste, Elbasan

Zjarri mbetet aktiv dhe po monitorohet nga autoritetet vendore.

Tenë, Mirditë

Në një sipërfaqe me shkurre po ndërhyn ekipi zjarrfikës lokal.

Zallë, Krujë

Zjarri po përballohet nga automjeti zjarrfikës i zonës dhe Emergjencat Civile.

Shijak

Zjarri ndodhet afër Parkut të Kamionëve “Pelikani” dhe po digjen bimësi të ulëta. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse.

Ministria e Mbrojtjes apelon për kujdes maksimal nga qytetarët gjatë ditëve të nxehta të verës, pasi shumica e vatrave shkaktohen nga faktori njerëzor dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet lokale për të shmangur përhapjen e zjarreve.

Top Channel