Produkteve të skaduara u ndërronin datën dhe i hidhnin sërish në treg, arrestohen pronari dhe magazinieri në Vorë

19/07/2025 09:40

Një magazinë e cila u ndërronte datën e skadencës produkteve dhe i nxirrte sërish në treg, është zbuluar në Vorë.

Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38 vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58 vjeç, magazinier.

Po ashtu, u proceduan penalisht shtetasit S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.

Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhjetra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Top Channel