Plagosi 30 njerëz që prisnin jashtë një klubi nate në Los Angeles! Policia: Shoferi u neutralizua nga kalimtarët, njëri e qëlloi me armë

19/07/2025 19:09

Të paktën 30 persona u plagosën, shtatë prej tyre në gjendje kritike, pasi një automjet u përplas me një turmë njerëzish që po prisnin në radhë jashtë një klubi nate në East Hollywood, në orët e para të së shtunës, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angeles.

Ngjarja ndodhi përpara lokalit muzikor “The Vermont Hollywood”, ku makina hyri në turmën e njerëzve që po prisnin të hynin brenda.

Sipas Policisë së Los Angeles, shoferi u nxor nga makina nga kalimtarët dhe u sulmua fizikisht. Gjatë përplasjes, njëri nga të pranishmit e qëlloi me armë zjarri. Më pas, ai u dërgua në spital nën kujdesin e policisë.

Burime zyrtare thanë se shoferi dyshohet të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike dhe nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë që ngjarja ishte terroriste apo me motiv tjetër kriminal, përveç gjendjes së tij të dehur.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan njerëz të shtrirë në trotuar duke u ndihmuar nga ekipet e emergjencës, ndërsa policia rrethoi zonën. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar arsyet e incidentit.

Top Channel