
Lëvizte në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, i armatosur me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje, vihet në pranga 21-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit automatike tip “Scorpion”, municion luftarak, 2 celularë, 1 automjet dhe 1 motomjet që i përdorte 21-vjeçari.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”.
Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin K. V., që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë.
Në vijim të veprimeve, shtetasi K. V., 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel