Anija turistike përmbyset mes stuhisë në Vietnam/ Rritet bilanci tragjik i viktimave, shkon në 34 numri i të vdekurve

19/07/2025 18:44

Të paktën 27 persona kanë humbur jetën pasi një anije turistike u përmbys në Gjirin Ha Long të Vietnamit, sipas raportimeve nga media shtetërore.

Anija “Wonder Sea”, e cila mbante 53 persona në bord, përfshirë pesë anëtarë të ekuipazhit, u përmbys të shtunën rreth orës 14:00 me orën lokale, si pasojë e erërave të forta.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Vietnamit, ekipet e shpëtimit kanë arritur të gjejnë 11 të mbijetuar, teksa numri i viktimave ka shkuar në 34, tetë prej të cilëve janë fëmijë.

Identitetet dhe kombësitë e turistëve ende nuk janë konfirmuar, ndërsa operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë. Shumica e pasagjerëve ishin turistë nga kryeqyteti Hanoi, përfshirë rreth 20 fëmijë.

Ngjarja ndodhi në kohën kur stuhia tropikale Wipha kishte prekur Detin e Kinës Jugore, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta në rajon. Kjo është stuhia e tretë që godet zonën për këtë vit dhe pritet të zbresë në bregun verior të Vietnamit në fillim të javës së ardhshme.

Top Channel