Sllovakia ndryshon mendje, kryeministri sllovak udhëzon delegacionin e tij në BE të miratojnë paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë

18/07/2025 10:33

Sllovakia është gati të miratojë paketën e 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, tha kryeministri sllovak Robert Fico.

Propozimi i Komisionit Evropian për paketën e re të masave synon veçanërisht sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë, në përgjigje të refuzimit të presidentit rus Vladimir Putin për të negociuar një armëpushim pa kushte në Ukrainë.

Ratifikimi i masave u shty pasi Fico tha se nuk ishte i përgatitur t’i miratonte ato, duke përmendur shqetësimet e qeverisë së tij në lidhje me mjaftueshmërinë e gazit të Sllovakisë.

Por të enjten, Fico njoftoi nëpërmjet Facebook-ut se kishte udhëzuar delegacionin sllovak të miratonte grupin e 18-të të sanksioneve.

Kryeministri sllovak argumentoi se nëse ai vazhdonte të bllokonte paketën e re të sanksioneve, situata do të bëhej “kundërproduktive” për interesat e Sllovakisë si shtet anëtar i BE-së.

Bratislava ka siguruar garanci nga Komisioni për ndihmë në rast të mungesës së gazit, rritjes së çmimeve, tarifave të transmetimit ose ndërlikimeve ligjore, sipas Fico-s.

Sipas burimeve në Bruksel, përfaqësuesit e përhershëm të 27 vendeve në selinë e BE-së pritet të ratifikojnë paketën e 18-të, ndoshta që sot.

Kërkohet unanimitet absolut që BE-ja të vazhdojë me vendosjen dhe zbatimin e sanksioneve.

Të martën, ministrat e jashtëm nuk e miratuan paketën e re, pasi Sllovakia këmbënguli në veton e saj.

Top Channel