
Nga Altin Kreka
Beteja trupëruse për mandatin e vetëm të “Nisma Shqipëria Bëhet”, mes dajës së Endri Shabanit apo “tezes” së Adriatik Lapajt, ka rrëzuar atë pak shpresë që kishte nisur të lindte se forcat e reja politike të shfaqura si lëvizje popullore do të hiqnin ndonjë tullë nga sistemi dypartiak i instaluar në Shqipëri. Këto forca të reja, që mundoheshin të shfaqeshin njëherë si të majtë populistë, njëherë si nacionalistë, apo liberalë të qendrës, që në nisje të jetës së tyre u kacafytën jo me partitë e mëdha, por me njëri-tjetrin. Por asnjë nga akuzat e Lapajt si populist i majtë ndaj Shehajt si liberal i djathtë, apo as ankesat e Partisë së Ardil Qorrit që shfaqet më së shumti si komunist modern, nuk i dëmtuan shpresat se të paktën një forcë e re politike jashtë establishmentit politik do futej në mes të PS e PD për t’ju prishur pak terezinë dhe pse jo të zgjedhjet e tjera për të sjellë një rotacion ndryshe.
Asnjëherë nuk kam menduar se kjo mund të ndodhte me këto parti të reja për shkak të sjelljes me përkëdheli nga një studio tek tjetra, duke u ankuar live se atyre nuk u jepet zë, por asnjëherë në terren me të gjitha forcat.
Beteja e fundit për një karrike deputeti mes Zeqirit dhe Anës, e banalizoi aq keq çdo lëvizje të re politike në Shqipëri sa duket e vështirë që pas kësaj komedie dikush të marrë seriozisht ndonjë prej këtyre partive. Partitë e reja kërkuan të dëmtojnë sistemin por dëmtuan veten duke shtyrë edhe për disa kohë daljen e forcave serioze të reja që do mund t’ja heqin mundësinë më të mëdhenjëve për t’i vendosur ata rregullat e lojës. Këto parti që në nisje u ankuan për sistemin elektoral që përdoret nga Shqipëria në zgjedhjet parlamentare. Por kur vjen rradha e zgjedhjeve vendore, ku votimi është i pastër mazhoritar, asnjë nga këto parti nuk bëhet një kërcënim serioz. Edhe vetë ata duke e ditur se nuk fitojnë gjë, edhe fushatën e bëjnë si humbës.
Në gjithë Europën, forcat e reja politike që tronditën balancat dhe erdhën në pushtet, nuk kanë lindur dhe nuk janë rritur nga dashamirësia e politikës dhe partive sunduese. Ato që kanë pasur më shumë fat, i kishin kundër këto parti që në nisje. Lëvizjet populiste të ekstremit të djathtë në Francë, Gjermani, Belgjikë, Hollandë apo Greqi u rritën në rrugë, në kontakt direkt me votuesit. Disa prej tyre janë shuar si Agimi i Artë në Greqi, por lëvizje si “5 Yjet” apo Fratelli d’Italia arritën të shembin sistemin e vjetër politik duke u ngjitur deri në qeveri.
Meqenëse Giorgia Meloni tashmë s’mund të quhet më politikane e re dhe nuk është aspak e majtë, do sugjeroj që lëvizjet e majta shqiptare të paktën të mësojnë diçka nga suksesi i jashtëzakonshëm i Peppe Grillo, komediani që u bë politikan dhe që asnjëherë nuk mori mandat deputeti apo post në qeveri, edhe pse krijoi një lëvizje politike që fitoi zgjedhjet në Itali e para disa viteve.
Kjo është historia e tij:
Beppe Grillo, ish humorist i njohur për ironinë e tij therëse kundër politikës, u kthye në një nga figurat më të rëndësishme të politikës duke themeluar një nga lëvizjet më të pazakonta dhe të suksesshmet: Movimento 5 Stelle (Lëvizja 5 Yjet). Historia e kësaj lëvizjeje nuk është thjesht ajo e një partie politike, por e një revolucioni digjital e qytetar që nisi me një njeri dhe bashkoi miliona deri sa u ngjit në majat e pushtetit. Në vitet ’80 dhe ’90, Beppe Grillo ishte një komedian i njohur në televizionin italian, me shfaqje satirike që godisnin drejtpërdrejt politikanët dhe pushtetin ekonomik.
Ai u censurua nga televizioni publik RAI duke e shtyrë Grillon të largohej nga mediat tradicionale dhe të gjente forma të reja komunikimi. Në vitin 2005, Grillo hapi blogun e tij personal, i cili në pak kohë u bë një nga më të lexuarit. Ekspozonte skandale, korrupsion dhe padrejtësitë, blogu ishte vendi ku qytetarët organizoheshin. Më 8 shtator 2007, Grillo organizoi “Vaffanculo Day” (ose shkurt V-Day), një protestë e madhe popullore kundër klasës politike, ku u mblodhën mbi 300 mijë nënshkrime për një peticion që kërkonte ndalimin e politikanëve të dënuar, kufizimin e mandateve parlamentare dhe zgjedhjen direkte të kandidatëve. Protesta u pasua nga një V2-Day në 2008, kësaj here kundër manipulimit mediatik dhe censurës në Itali. Pas protestave, lëvizja mori trajta më të organizuara përmes platformës Meetup.com, ku qytetarë nga e gjithë Italia krijuan grupe të quajtura “Amici di Beppe Grillo”.
Këto grupe nisën të diskutojnë dhe të marrin pjesë në veprimtari duke u bërë bazamenti i asaj që më pas do të quhej Movimento 5 Stelle. Më 4 tetor 2009, në qytetin e Firences, Grillo dhe bashkëpunëtori i tij Gianroberto Casaleggio shpallën themelimin zyrtar të lëvizjes. Emri dhe simbolika e pesë yjeve përfaqësonin pesë shtylla programore: ujin e pastër, mjedisin, transportin publik, zhvillimin e qëndrueshëm dhe energjinë alternative. Në vitet që pasuan, M5S nisi të sfidojë partitë tradicionale nëpër zgjedhje lokale dhe rajonale. Kulmi erdhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, kur Lëvizja u kthye në forcën e dytë më të votuar në Itali, me mbi 25% të votave. Suksesi vazhdoi, dhe më 2018, M5S fitoi shumicën relative dhe qeverisi Italinë në koalicion me Lega Nord.
Ajo që e bëri të veçantë këtë lëvizje ishte forma e organizimit. Pa strukturë klasike partie, pa seli fizike, pa lider tradicional M5S operoi si një komunitet digjital, ku qytetarët mund të propozonin, votonin dhe ndikonin në vendimmarrje përmes platformës online “Rousseau”, të ndërtuar nga kompania Casaleggio Associati. Sot, pas më shumë se një dekade, Lëvizja 5 Yjet është transformuar ndjeshëm. Figura e Grillos është tërhequr pjesërisht, ai kurrë num morri poste politike, ndërsa shumë nga premtimet e dikurshme janë përplasur me realitetin qeverisës. Megjithatë, ndikimi i saj në politikën italiane dhe europiane mbetet i pakontestueshëm: një qytetar i thjeshtë, përmes humorit dhe teknologjisë, arriti të trazojë establishmentin dhe të ndryshojë rregullat e lojës.
Top Channel