
Kancelari gjerman Friedrich Merz pranon se Europa deri më tani ka bërë shumë pak për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e saj, por tani ai beson se bashkë me Britaninë e Madhe i kanë kuptuar kritikat e SHBA-ve dhe do të punojnë fort në këtë linjë.
Me fokusin tek rritja e sigurisë dhe mbrojtjes kancelari gjerman zhvilloi të parën vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, gjatë së cilës u nënshkruan marrëveshje të rëndësishme, në kuadër të fuqizimit të boshtit Gjermani-Francë në Europë.
“Traktati i Kensingtonit”, i nënshkruar nga të dy konsiderohet si marrëveshja e parë më e rëndësishme e këtij lloji mes dy vendeve që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania dhe Britania e Madhe janë zotuar të luftojnë emigracionin e paligjshëm.
“Angazhimi i Kancelarit Merz për të bërë ndryshimet e nevojshme në ligjin gjerman për të ndërprerë linjat e furnizimit të anijeve të rrezikshme që transportojnë emigrantë të paligjshëm përtej Kanalit është jashtëzakonisht i mirëpritur”, tha Starmer.
Bisedimet e frytshme në zyrën e Starmer në Downing Street përfshinë edhe Ukrainën e ndihmat ushtarake ndaj saj.
“Po përpiqemi të sjellim fundin e kësaj lufte. Po koordinohemi për Ukrainën dhe për tarifat tregtare. Jemi në telefon një herë në javë, po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare”, u shpreh Merz.
Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca po ndërtojnë një aleancë të re, të quajtur “E3”, që do të fokusohet në sigurinë, politikën e jashtme dhe zhvillimin ekonomik. Merz vuri në pah marrëdhëniet e ngushta me Starmer dhe Macron, ndërsa presidenti francez pritet të vizitojë Berlinin javën e ardhshme.
Në kuadër të traktatit britaniko-gjerman, Merz konfirmoi gjithashtu mbështetjen për ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë raketa me rreze veprimi deri në 2,000 kilometra.
Top Channel