Sulmi izraelit në një kishë në Gaza i merr jetën dy personave dhe plagos një prift, famullitari merrte telefonata të përditshme nga Papa Françesku edhe gjatë shtrimit në spital

17/07/2025 14:33

Një sulm izraelit ka goditur një kishë izraelite në Gaza, i ka marrë jetën dy personave dhe ka plagosur priftin, që merrte telefonata të përditshme nga Papa Françesku.

“Dy persona u vranë si rezultat i një sulmi nga ushtria izraelite që goditi kompleksin e Familjes së Shenjtë këtë mëngjes”, tha patriarkana latine e Jerusalemit në një deklaratë.

Para vdekjes së tij në prill, Françesku e telefononte priftin argjentinas, Romanelli, çdo mbrëmje për të diskutuar për luftën në Gaza. Ai e filloi rutinën më 9 tetor 2023, dy ditë pas sulmeve ndaj Izraelit nga Hamasi, si një mënyrë për të shprehur solidaritet gjatë konfliktit.

Pamjet e Reuters nga spitali treguan Romanellin të plagosur lehtë, me këmbën e majtë të fashuar, por ishte në gjendje të ecte.

Dëshmitarët thanë se kisha dukej se ishte goditur nga bombardimet e tankeve izraelite.

Papa Leo XIV, tha në një telegram të dërguar nga sekretari i shtetit i Vatikanit në emrin e tij se ishte “thellësisht i trishtuar kur mësoi për humbjen e jetëve dhe lëndimet e shkaktuara nga sulmi ushtarak” dhe se po ripërtërinte thirrjet e tij për një armëpushim të menjëhershëm.

“Bastisjet izraelite në Gaza kanë goditur edhe kishën e Familjes së Shenjtë. Sulmet kundër popullsisë civile që Izraeli ka kryer prej muajsh janë të papranueshme. Asnjë veprim ushtarak nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Kisha strehonte të krishterë dhe myslimanë, përfshirë një numër fëmijësh me aftësi të kufizuara, sipas Fadel Naim, drejtorit në detyrë të spitalit arab al-Ahli, i cili priti të plagosurit.

Të paktën dy persona ishin në gjendje kritike, tha Naim dhe midis të plagosurve të tjerë ishte një fëmijë me aftësi të kufizuara, dy gra dhe një person i moshuar.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se ishin “të vetëdijshme për raportet në lidhje me dëmet e shkaktuara në kishën e Familjes së Shenjtë në Qytetin e Gazës dhe viktimat në vendngjarje. Rrethanat e incidentit janë duke u shqyrtuar.

“IDF po bën çdo përpjekje të mundshme për të zbutur dëmin ndaj civilëve dhe strukturave civile, duke përfshirë vendet fetare dhe shpreh keqardhje për çdo dëm të shkaktuar”, thuhet në deklaratën e IDF.

Kisha e Familjes së Shenjtë në Gaza tha në një deklaratë të për “një numër të plagosurish, disa prej tyre në gjendje kritike”.

Dhjetëra palestinezë u vranë dhe u plagosën gjatë sulmeve ajrore izraelite në disa zona të Rripit të Gazës të enjten, përfshirë katër që u vranë në një sulm ndaj një shtëpie afër shkollës Imam al-Shafi’i në Zeitoun, një lagje në juglindje të Qytetit të Gazës.

Pas vdekjes së Françeskut, Romanelli, i cili ka shërbyer si prift famullie që nga viti 2019, i tha Guardian: “Edhe pasi u shtrua në spital, ai vazhdoi të na telefononte për të na pyetur si ishte gjendja. Dhimbja jonë është e thellë sepse humbëm dikë që ndienim se ishte bërë anëtar i kishës sonë”

Papa Françesku ishte një avokat i fortë i përfundimit të luftës. Në fjalimin e tij të fundit publik të dielën e Pashkëve, ai dënoi “situatën e mjerueshme humanitare” në Gaza dhe iu lut Izraelit dhe Hamasit të “bëjnë thirrje për armëpushim, të lirojnë pengjet dhe të vijnë në ndihmë të një populli të uritur, që aspiron një të ardhme paqësore”.

Top Channel