Stuhi shirash dhe furtuna në Pakistan, përmbyten disa zona, 50 viktima në 24 orët e fundit

17/07/2025 11:52

Numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan është rritur në më shumë se 50 në 24 orët e fundit, tha një zyrtar qeveritar, duke e çuar numrin total të viktimave në rreth 180 që nga fillimi i “musoneve të verës” (periudhë në Azi me luhatje drastike temperaturash dhe kushte ekstreme moti).

“Në 24 orët e fundit, 54 persona kanë vdekur dhe 227 janë plagosur në të gjithë Pakistanin, me provincën Punjab që mban peshën kryesore”, tha një zëdhënëse e Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive për AFP, duke shtuar se ky numër i të vdekurve ishte deri në orën 8:00 të mëngjesit.

Shërbimi meteorologjik paralajmëroi për një rrezik në rritje të reshjeve të rrëmbyeshme dhe përmbytjeve të mundshme brenda 48 orëve të ardhshme.

Autoritetet në Rawalpindi, 15-20 kilometra nga kryeqyteti Islamabad, shpallën sot një ditë pushimi për t’i nxitur banorët të qëndrojnë në shtëpi.

“Banorët në zonat e rrezikut duhet të përgatisin pako emergjence me ushqim, ujë dhe ilaçe për tre deri në pesë ditë”, thanë ata.

Një lumë që rrjedh përmes qytetit është fryrë dhe banorëve u është thënë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas një zëdhënëseje të Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive, rreth 180 persona, përfshirë 70 fëmijë, kanë vdekur dhe 500 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i musoneve të verës në fund të qershorit.

Top Channel