
Përplasjet e përgjakshme në provincën me shumicë druzi të Suweidës kanë shkaktuar mbi 350 viktima që nga e diela, teksa tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm mes milicive druze dhe fiseve beduine.
Në këtë valë dhune, ushtria izraelite ka goditur për të tretën ditë radhazi objektiva ushtarake në jug të Sirisë dhe ndërtesa qeveritare në Damask, përfshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij është “duke punuar për të shpëtuar vëllezërit tanë druzë”, duke theksuar lidhjet e thella historike dhe kulturore mes komuniteteve druze në Siri dhe Izrael.
Ndërkohë, SHBA njoftoi se janë rënë dakord për “hapa të caktuar” për të ndalur përshkallëzimin e dhunës. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shkroi në platformën X: “Kemi rënë dakord për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj situate të tmerrshme që sonte”. Trupat siriane kanë nisur të tërhiqen nga Suweida në bazë të një marrëveshjeje me udhëheqësit fetarë druzë.
Goditjet ajrore izraelite kanë shënjestruar gjithashtu objekte afër pallatit presidencial dhe automjete të armatosura që lëviznin drejt Suweidës. Pamjet nga Damasku tregojnë panik të madh mes civilëve, ndërsa shpërthimet kanë tronditur disa nga zonat më të populluara të qytetit.
Siria ka dënuar ashpër sulmet duke i cilësuar si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së”, ndërsa burime brenda vendit raportojnë për kushte të rënda humanitare, mungesë uji dhe ndihme mjekësore në qytetin e Suweidës.
Tensionet nisën pas rrëmbimit të një tregtari druz javën e kaluar, çka solli mobilizimin e milicive dhe përplasje të dhunshme me fiset beduine. Burime të pavarura raportojnë për BBC për dhjetëra viktima mes civilëve, përfshirë raste të ekzekutimeve pa gjyq dhe plaçkitje nga forcat qeveritare.
Ndërsa kriza përshkallëzohet, komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje paqësore, me SHBA dhe vendet arabe që kanë marrë rol aktiv në ndërhyrjen diplomatike.
Top Channel