
Dy persona janë arrestuar në vendin e quajtur “Ura e Glinës” në Gjirokastër, pasi po prisnin emigrantë që t’i transportonin kundrejt pagesës.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasi B.H., 34-vjeç dhe shtetasi J.M., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit B. H., 34 vjeç dhe J. M., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër, pasi dje, u konstatuan nga shërbimet e Policisë Kufitare, në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke pritur një grup emigrantësh të cilët dyshohet se do t’i transportonin kundrejt pagesës, në drejtim të qytetit të Shkodrës, që të kalonin ilegalisht kufirin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Xh. Gj., 61 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të lëvizur automjetin që e kishte parkuar gabim;
-A. D., 33 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë, pasi ka zaptuar një sipërfaqe toke.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. L., 26 vjeç, banues në fshatin Luzat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht një 27-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, banues në Libohovë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe send të fortë, një 13-vjeçar, banues në Libohovë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, pasi më datë 15.07.2025, në fshatin Kutal, në vendin e quajtur “Braçovë”, është krijuar një vatër zjarri dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme. Punohet për dokumentimin ligjor të rastit.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. I., banues në Gjirokastër, pasi dje, në lagjen “18 shtatori”, automjeti që ai drejtonte, pa leje drejtimi, është përplasur me një automjet tjetër. Nga përplasja janë shkaktuar dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel