Plagosja e dyfishtë në Sarandë/ Shpallen në kërkim vëllezërit e rrezikshëm, njëri prej tyre i dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje

17/07/2025 17:57

Një konflikt i rëndë me armë zjarri ka ndodhur këtë pasdite rreth orës 15:00 në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.

Të plagosurit janë identifikuar si Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, dhe Ernest Lama, 24 vjeç.

Ata u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Sarandës dhe më pas u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Burime spitalore nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Sipas burimeve nga Policia e Sarandës, dy vëllezër janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Bëhet fjalë për Ramadan Zoto, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe vëllanë e tij Erjon Canaj, 35 vjeç.

Ramadan Canaj njihet si një person me rrezikshmëri të lartë, me precedentë penalë në Greqi, ku është dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai njihet edhe për një rast të bujshëm kur ka shkëmbyer zjarr me forcat e policisë greke. Aktualisht ai ndodhet në proces gjyqësor në Sarandë për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.

Ndërkohë, Erjon Canaj është përfshirë më parë në incidente të dhunshme. Në dhjetor 2022 ka ushtruar dhunë ndaj rojes së Spitalit të Sarandës, dhe në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me dy armë zjarri, por më pas është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës.

Operacioni për kapjen e tyre vijon me angazhimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), ndërsa hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë. Zona e ngjarjes është e rrethuar dhe kontrollet janë intensifikuar në të gjithë qytetin dhe zonat përreth.

Top Channel