Një operacion i rrallë spiunazhi u zhvillua këtë të enjte në Kosovë.

Objektiv i këtij operacioni ishte një zyrtar i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiç, cili dyshohet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme te shërbimet sekrete të shtetit serb.

Mediat vendase kanë publikuar pamje nga arrestimi i tij dhe operacioni i sotëm i Inspektoratit Policor të Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë Speciale.

Ka dyshime se ai bashkëpunoi me BIA-n serbe duke shpërndarë informacione konfidenciale me ta.

“Janë dyshime të bazuara, janë dyshime të provuara nga ana e IPK-së në bashkëpunim me AKI-në ku i kemi faktu dyshimet tona lidhur me veprën penale “spiunazhi””, ka thënë drejtori i hetimeve në IPK, Bardhyl Haxhimustafa.

Në shtëpinë e të dyshuarit për spiunazh hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës aktualisht po kryejnë bastisje.

Aty janë gjetur disa dokumente, që organet e drejtësisë besojnë se janë prova konkrete për bashkëpunimin e zyrtarit policor serb me BIA-n.

Gjithashtu, është konfiskuar edhe një armë e padeklaruar dhe mijëra para.

Pas kësaj, pritet të bastiset edhe zyra e të dyshuarit të pikës kufitare, Dheu i Bardhë.

“Është informuar Shefi i Operativës së Drejtorisë rajonale të Policisë kufitare i cili e ka përfunduar suspendimin e zyrtarit policor për 72 orë apo tre ditë pune. Do të bëhet rekomandimi tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe vazhdon suspendimi i zyrtarit deri në përfundim të hetimit”, ka thënë Haxhimustafa, drejtor i hetimeve në IPK.

Bojan Jetviç ka mbajtur gradën e togerit në Policinë e Kosovës dhe kryesisht aktivitetin e tij profesional e ka në zonën e Anamoravës, ndërsa jeton në një fshat të Komunës së Kamenicës.

Detaje për aksionin ka dhënë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, që treguan se gjatë bastisjeve, janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona, USB, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova të tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.

Top Channel