
Një aktgjykim i Gjykatës Supreme i nxjerrë të martën ka bërë të qartë se ministrat në detyrë nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht edhe funksionin e deputetit, siç bëjnë që nga marsi kabineti qeveritar në Kosovë.
Hekuran Murati i zgjedhur deputet nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, njëkohësisht ushtron edhe funksionin e ministrit në qeveri e pikërisht një udhëzim administrativ i nënshkruar prej tij në prill të këtij viti u rrezua nga supremja.
Të enjten Murati vazhdoi me ankesat e këtij vendimi.
“Problemi qëndron tek vet përmbajtja e vendimit, pra që nuk ka të bëjë me mbrojtjen e kushtetutës, por ka të bëjë me mbrojtje të interesave financiare të bizneseve të caktuara”, tha Murati.
Por i pyetur nëse do e respektojë aktgjykimin që nuk e lejon atë të mbajë dy pozita, heshti, vetëm u kthye në zyrën e tij në qeveri, duke nënkuptuar se do e vazhdojë punën e ministrit.
Përgjigje nuk pati as Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla i cili po ashtu është zgjedhur deputet.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, as ajo e Tregtisë, Rozeta Hajdari e ministri në detyrë i Shëndetësisë nuk u përgjigjen nëse do e respektojnë vendimin e Supremes.
Deputeti dhe njëkohësisht ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci tha se ekzekutivi nuk duhet të mbetet bosh në këtë periudhë tranzicioni.
Që prej 27 marsit kur qeveria është në detyrë janë miratuar 10 akte nënligjore, gjashtë prej të cilave janë nënshkruar nga ministrat në dorëheqje që mund të kontestohen juridikisht.
Top Channel