I njohur për qëndrimin e tij pro-shqiptarëve, kongresmeni amerikan: Kosova, aleati më i madh i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

17/07/2025 16:46

I njohur për qëndrimin e tij pro-shqiptarëve, kongresmeni amerikan Ritchie Torres e përshkroi Kosovën si aleatin më të madh në rajon të Shteteve të Bashkuara.

Torres postoi së fundi në platformën X disa foto të një takimi të zhvilluar pak ditë më parë me presidenten Vjosa Osmani.

“Shtetet e Bashkuara nuk njohin aleat më të madh në Ballkanin Perëndimor sesa Kosova”, ka shkruar ligjvënësi amerikan, i cili është bashkëkryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin e SHBA-së dhe përfaqësues i komunitetit shqiptar në Bronx.

Osmani përcolli mirënjohje për kongresmenin, që ka qenë mjaft aktiv në mbështetje të Kosovës dhe e falënderoi për kontributin e tij në forcimin e relatave mes dy vendeve.

“Jemi mirënjohës për përkushtimin e tij të palëkundur në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar presidentja në Facebook.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Liderët shtetërorë në Kosovë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e vendit dhe insistojnë se mbështetja e saj është jetike.

Top Channel