
Katër shtetas janë identifikuar dhe janë vënë nën hetim nga Policia e Durrësit, pasi akuzohen për ndotje të mjedisit, përmes hedhjes së mbeturinave në mënyrë të përsëritur, jashtë koshave të përcaktuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë kontrolleve në terren dhe në vijim të ankesave të qytetarëve, konstatuan grumbullim të paligjshëm mbeturinash në rrugë, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, duke krijuar ndotje të konsiderueshme të mjedisit përreth.
Si rezultat i verifikimeve, Policia referoi materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit K. K., 42 vjeç, M. Ç., 50 vjeç, P. M., 45 vjeç dhe R. U., 35 vjeç, banues në Durrës dhe Tiranë.
Sipas të dhënave zyrtare, këta shtetas dyshohet se kanë hedhur në mënyrë të përsëritur mbeturina të lokaleve që administrojnë, duke i depozituar në mënyrë të parregullt në trotuar dhe jashtë zonave të dedikuara për grumbullimin e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Top Channel