4 vite pa zbardhur vendimin, ish-punonjësit e ujësjellësit fituan gjyqin, gjyqtarja nuk hap rrugën për dëmshpërblim

17/07/2025 15:35

Pesë ish-punonjës të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Vaun e Dejës sorollaten prej më shumë se katër vitesh dyerve të gjykatave në Shkodër e Tiranë, në pritje të një të drejte që, ndonëse është dhënë, nuk është vënë në zbatim.

Në vitin 2021, Gjykata e Shkodrës vendosi se shkarkimi i tyre nga puna ishte i paligjshëm dhe, me një vendim të datës 11 shkurt, gjyqtarja Arta Llazari urdhëroi dëmshpërblimin e tyre.

Por pavarësisht kësaj, vetë gjyqtarja nuk e ka zbardhur deri me sot vendimin e saj.

Ky nuk është rasti i parë që kjo gjyqtare zvarrit zbardhjet e vendimeve, pasi janë një mori ankesash në drejtim të saj, aq sa në fillim të këtij viti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Arta Llazarit nga detyra, për mosveprim ndaj çështjeve civile dhe vonesa të përsëritura në arsyetimin dhe zbardhjen e vendimeve gjyqësore.

Ndërkohë muajin prill, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori ndaj saj masë disiplinore, duke e pezulluar nga detyra për një periudhë gjashtëmujore.

 

 

Top Channel