
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Arber Paplekajt për lirim me kusht nga burgu është shtyrë sërish.
Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 19 shtator, në orën 09:45 dhe shkak për shtyrjen është bërë mungesa e një përfaqësuesi të Shërbimit të Provës, pjesëmarrja e të cilit është e detyrueshme në këtë fazë.
Arber Paplekaj, ish-efektiv i Forcave të Armatosura, po vuan aktualisht një dënim me burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur në Elbasan në prill të vitit 2021, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Ai u dënua përfundimisht me 7 vite burg nga Gjykata e Apelit që ia uli dënimin pasi ndryshoi cilësimin e veprës penale nga vrasje në rrethana cilësuese në vrasje në kushtet e tronditjes psikike.
Teksa ka vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit, mbrojtja e tij ka kërkuar përfitimin e lirimit me kusht. Seanca e shtatorit pritet të jetë vendimtare për kërkesën e Paplekajt që nuk mori pjesë në seancë, në të cilën përfaqësohej nga avokati.
Top Channel