
Tashmë ‘lufta’ për një karrige në Kuvendin e shtatorit mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit mund të quhet e hapur.
Ditën e sotme pas një letre dërguar në KQZ nga kandidati në listat e hapura të koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Zeqir Kordhoni, (daja i Endri Shabanit), ku njofton se nuk do ta japë dorëheqjen dhe kërkon mandatin, duke ia marrë kështu Adriatik Lapajt, ka ndezur përplasjen mes dy kryetarëve.
Pas këtij veprimi Lapaj reagoi dhe tha se ‘Endri Shabanit i ka shtrirë dorë, e se daja i tij kërkon t’i marrë mandatin’.
Nuk ka vonuar përgjigjja nga Shabani, i cili ka zgjedhur që thumbimet t’i bëjë përmes vargjeve të Kico Spirit:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”.
Para zgjedhjeve të 11 majit Lapaj tha se nëse nuk marrin dy mandate, nuk do të shkojë në Kuvend, por duket se pas fitimit të një mandati ka vendosur ta pranojë, gjë që mund të ketë krijuar hatërmbetje të Shabani si bashkëkryetar i koalicionit.
Top Channel