Polemika/ Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, Alfred Lela: Aksion si në 1945 kundër katolikëve. Demaliaj: Tezë dashakeqëse e Berishës, prish kohezionin social në vend

16/07/2025 14:52

Aksioni i fundit i IKMT-së për të prishur ndërtimet pa leje në zonën turistike të Thethit, ka shkaktuar polemika edhe në Tiranë.

Drejtori i zyrës së komunikimit në PD, Alfred Lela krahason atë që po ndodh në këtë zonë, me zhvillimet e viteve të para të komunizmit.

“Ndarja e Shqipërisë politike nuk është më as veri- jug dhe as qendër-periferi. Polarizimi i ngjan shumë periudhës 1945-1948, kur nacionalizmi dhe rezistenca ishin tërhequr dhe strehuar në enklavat kryesisht katolike të veriperëndimit”, shkruan Lela.

Sipas tij e njëjta panoramë u përsërit edhe në zgjedhjet e 11 Majit, ku Pd-ja fitoi në bashkitë me elementë katolikë si Mirdita, Puka e Fushë Arrëzi.

Në përgjigje të analizës së Lelës, analisti Ilir Demaliaj shkruan se përdorja e situatës në Theth për të ringjallur ndasitë fetare dhe krahinore, është spekulative, e qëllimshme dhe e rrezikshme për kohezionin social në vend.

Demaliaj hedh poshtë edhe krahasimin e bërë nga Lela lidhur me rezistencën e viteve të para të komunizmit dhe rezultatin e zgjedhjeve të 2023 dhe 2025 në veri të vendit.

“Të krahasosh rezistencën e shqiptarëve katolikë në vitet 1945-1948 ndaj komunizmit me rezultatin e zgjedhjeve të 2023 apo 2025, është një abuzim historik dhe një banalizim i sakrificës së atyre që u ngritën kundër diktaturës. Thethi nuk është një “rrip i Biblës”, as Shkodra nuk është “tokë e shenjtë e së djathtës”. Këto janë qytete dhe fshatra të Shqipërisë, me qytetarë që mendojnë, votojnë, e jetojnë të lirë, ashtu si çdo shqiptar tjetër, pavarësisht fesë apo krahinës”, replikon Demaliaj.

Shkrimi i Alfred Lelës

Duke parë dhe gjykuar atë që po ndodh në Theth, por edhe tjetërkund në Shqipëri prej një jave të gjatë e torturuese, Edi Rama duket si personazhi ideal për të shpjeguar shprehjen popullore tiranase “nuk kam turp, nuk ke çfarë më bën!’. Në këtë kontekst, me një Kryeministër që nuk njeh ligjin, kodet, as turpin, duhen gjetur zgjidhje të tjera. Cilat do qofshin ato!

Por, që të vijë zgjidhja, në fillim duhet të vijë fundi dhe, kam përshtypjen se jemi afër. Të paktën në terma historikë apo të ngjashmërive historike. Pyetja është: do ta pranojmë, a sfidojmë fundin?

I duhet hedhur një sy hartës elektorale të Shqipërisë në 2 zgjedhjet e fundit: të 11 majit 2025 dhe 25 prillit 2023.

Nëse në internet, në formën e memeve, kanë qarkulluar disa variacione që përziejnë humorin e hidhur me melankolinë politike, ku në veri të vendit hartën e popullojnë burra me veshje të traditës dhe me pushkë në dorë, dhe në jug dele, historia është më treguese.

Ndarja e Shqipërisë politike nuk është më as veri- jug dhe as qendër-periferi. Polarizimi i ngjan shumë periudhës 1945-1948, kur nacionalizmi dhe rezistenca ishin tërhequr dhe strehuar në enklavat kryesisht katolike të veriperëndimit. Po të shihni zgjedhjet e fundit lokale, rezultati i të cilave u ripërsërit edhe në parlamentaret, në Shqipëri u ri-krijua një Rrip i Biblës. Partia e djathtë Demokratike mori bashkitë me mbizotërim të elementit katolik në Mirditë, Pukë dhe Fushë-Arrëz. Në zgjedhjet e përgjithshme pati rezultate solide në të njëjtat territore, por edhe në Lezhë e Shkodër, gjithashtu zona me prani të fortë të krishterë.

Kjo ka qenë pak a shumë gjendja edhe në mes të viteve ’40 të shekullit të shkuar, kur në pushtet erdhën komunistët. Me jugun dhe qendrën (hiq një rezistencë të nostalgjikëve të Mbretit dhe Abaz Kupit në Mat dhe Krujë) të rënë shpejt në duar të komunistëve, veriu -kryesisht ai katolik- i bëri qëndresën më të qenësishme komunizmit. Rezistenca ishte e përgjakshme, por nuk zgjati shumë.

Në këtë siujdhesë rezistence Thethi i 11 majit u dëshmua një përjashtim. Shaljanët e kësaj zone duket se ‘zgjodhën’ Edi Ramën, me sa duket të gënjyer nga një ‘besë’ që ky u dha gjatë fushatës duke u premtuar legalizime dhe falje gjobash. Dy muaj më vonë, fshati piktoresk mes Alpeve e pa veten të rrethuar, të gënjyer, të linçuar. Shpagimi i daljes nga amaneti i të parëve ‘me komunistët nuk ka besë’, e plotësoi rrugën e vet në formë dramatike. Me tokë të trashëguar, por pa trashëgimi, me vend të lakmuar, por pa katandi, me turistë të huaj, por pa vatra e kulme, malësorët, me siguri, kanë kujtuar porositë e priftërinjve katolikë të 1945 lënë gjyshërve të tyre.

Sigurisht, as Shqipëria, as katolikët, nuk janë më të dikurshmit. Një syresh tallej publikisht në një gazetë të regjimit me sojin e vet, të cilin e quante ‘qesharak’. Një bijë e atyre maleve, që sapo ka dorëzuar krrabën e dhive për kartonin e deputetit, e ngriti atë ende pa hyrë në Parlament, dhe nga dukagjinase, brenda ditës u bë dukaqenëse.

Shqetësimi këtu, ose thelbi i tij, nuk është Thethi dhe katolikët në vetvete, por simbolika e tyre në historinë e Shqipërisë. A po rrezikohet përsëritja e historisë? A po shkohet sërish drejt një regjimi [me petka demokratike] me sjellje totalitare? A po shndërrohet Edi Rama në një Enver që ka më shumë kulaç se kërbaç [por e përdor këtë të dytin sa herë i pari nuk i kryen punë]. Leksioni i Thethit del përtej këtij fshati. Kryeministri, në plotfuqinë e tij, ka ndërmend që të shpikë beteja, edhe ku nuk ka.

Ai ka në kokë idenë e një Shqipërie transaksionale që e përpunon çdo natë në Kinostudion e kokës së vet. Nuk pyet për standard. Vilma Nushi & Co. mund të bëjë resorte në Vuno, në zonë të mbrojtur, por malësorët e Thethit, as kullat e tyre nuk mund të imitojnë për t’i kthyer në bujtina.

Se pse katolikët kanë rezistuar en block si zotërime të së djathtës, ky është një fat, fakt dhe fatalitet historik. Me ta ka qenë gjithmonë kështu: janë mbyllur në vetvete, lartësive të stuhishme të atdheut, për të refuzuar gjithçka që besimi, instinkti dhe, pse jo, kokëfortësia ua përplaste kodeve primordiale. Siç e thotë një varg i atyre zonave ku i këndohet kësaj paradigme “se për grada e për çifligje, fenë e Krishtit nuk e shite”.

Pas 500 vjetësh, ka ardhur koha që tokat e tyre të pakta, por të bukura, si të ishte një shpagim për gjithë atë mujtë shekullore, të fitojnë ‘grada’ dhe të bëjnë çifligje. Por, ja, ku u vjen Edi Rama, me taborët edhe ma të zi se të osmanllive, dhe ua zë në grykë gostinë që ata kujtuan se ua kishte gatuar Zoti vetë.

Edi Rama po e imiton Enver Hoxhën, sa me kulaç e sa me kërbac, edhe në atë se është kthyer kundër popullit ‘në emër të popullit’.

Në parim, ky është fillimi i fundit.

Replika e Ilir Demaliajt

Në shkrimin e tij të fundit mbi situatën në Theth dhe vendimet e qeverisë për ndërhyrje në ndërtimet pa leje, Alfred Lela, zëdhënës i Sali Berishës, e ka përdorur këtë ngjarje si një platformë për të ringjallur ndasi fetare dhe krahinore që i përkasin një epoke të errët të historisë shqiptare. Kjo qasje nuk është thjesht spekulative – ajo është e qëllimshme, nxitëse dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për kohezionin social të vendit.

Shqipëria, ndryshe nga shumë vende të Ballkanit, ka mbijetuar mbi themelet e një bashkëjetese të rrallë ndërfetare dhe ndërkrahinore. Ndërsa ka pasur periudha të errëta, shqiptarët kanë ditur të ruajnë një vetëdije kombëtare që e ka vendosur përkatësinë etnike dhe gjuhësore mbi ndasitë e tjera. Kjo është një vlerë që nuk duhet minuar në emër të një beteje politike apo për të mbrojtur interesat e një politikani të përballur me izolim ndërkombëtar dhe një vendim të formës së prerë nga drejtësia.

Të krahasosh rezistencën e shqiptarëve katolikë në vitet 1945-1948 ndaj komunizmit me rezultatin e zgjedhjeve të 2023 apo 2025, është një abuzim historik dhe një banalizim i sakrificës së atyre që u ngritën kundër diktaturës. Thethi nuk është një “rrip i Biblës”, as Shkodra nuk është “tokë e shenjtë e së djathtës”. Këto janë qytete dhe fshatra të Shqipërisë, me qytetarë që mendojnë, votojnë, e jetojnë të lirë, ashtu si çdo shqiptar tjetër, pavarësisht fesë apo krahinës.

Më e rrezikshme është nënteksti i thirrjes për përplasje: “Të vijë fundi që të vijë zgjidhja” – kjo nuk është analizë politike, por thirrje e fshehur për destabilizim. E kemi provuar “fundin” në vitin 1997, me gjak, me djegie, me plaçkitje, me shkatërrim të institucioneve. A është kjo ajo që kërkon sot Sali Berisha, përmes Alfred Lelës? Të ndizet Shqipëria, që të shpëtojë ai personalisht?

Nuk ka asgjë më të keqe për një komb të vogël sesa të përdorë plagët e historisë për përfitim politik. Nuk është hera e parë që Berisha dhe njerëzit pranë tij e bëjnë këtë: në vitin 1997, ai i shpalli jugun “armik”, duke përçarë vendin në veri dhe jug. Sot, me të njëjtin stil, kërkon të ndajë shqiptarët në të krishterë dhe myslimanë, në “Theth besnik” dhe “Theth tradhtar”.

Por Shqipëria e vitit 2025 nuk është ajo e ’45-s apo e ’97-s. Shqiptarët nuk kanë më oreks për luftra të vjetra, për përçarje të reja apo për politika që nxisin urrejtje. Sot qytetarët duan shtet, drejtësi, barazi dhe zhvillim. Ato që ndodhin në Theth duhet të trajtohen me ligj, jo me ndjeshmëri krahinore apo fetare. Nëse ka abuzime, le të ndëshkohen. Por në emër të ligjit, jo të hakmarrjes politike.

Shqiptarët janë lodhur nga politikanë që ndërtojnë kulla mbi djegie, tensione dhe retorikë të rrezikshme. Është koha të refuzojmë ata që i fryjnë erës së përçarjes dhe të qëndrojmë të bashkuar për një Shqipëri më të drejtë, më moderne dhe më të qytetëruar.

Në këtë moment vendimtar për vendin, gjuha që përdor Alfred Lela nuk është thjesht e papërgjegjshme – ajo është anti-kombëtare. Dhe kjo nuk është thjesht çështje bindjeje politike. Është çështje morali dhe përgjegjësie.

Top Channel