
Deputeti Dashnor Sula, ka ironizuar situatën e krijuar në Koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, ku dy bashkëdrejtuesit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani po përplasen me njëri-tjetrin për mandatin e vetëm që fituan në 11 maj.
“Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë”, e nis reagimin e tij Sula, që tregon prapaskenat se përse tërheqi emrin nga lista e “Nisma Shqipëria Bëhet” para zgjedhjeve parlamentare.
“‘Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë‘, kjo është ajo që po ndodh me Adriatik Lapajn, të cilin e paralajmërova për një skemë të tillë, kur më tha se kandidatët në listë të mbyllur në Elbasan do të jepnin dorëheqjen nëse unë do të kandidoja në këtë qark për subjektin që ai përfaqëson.
Në atë kohë i kërkova zotit Lapaj që në listë të mbyllur të vendosja një familjarin tim dhe ai/ajo të jepte dorëheqjen pasi të fitoja në listë të hapur. Zoti Lapaj kërkonte që unë të besoja te ajo që sot po e lë atë jashtë parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregon se partitë e reja kanë mendësitë e partive të vjetra…”, shkruan Sula.
Sula ishte kandidat në listën e Partisë Demokratike për qarkun Elbasan, por pasi Berisha e la në listë të hapur, demokrati i pakënaqur, hoqi dorë. Më pas, pranoi ftesën e Lapajt, por për shkak se nuk u arrit një akord për mënyrën se si do të funksiononte bashkëpunimi në qarkun e Elbasanit, u tërhoq.
Top Channel