“Orban është frymëzim për Trump”, deputetja hungareze i bën thirrje demokratëve amerikanë: Veproni tani, jo pas 2026

16/07/2025 18:31

Në një deklaratë të fortë dhe të drejtpërdrejtë, deputetja e opozitës hungareze Katalin Cseh i ka bërë thirrje demokratëve amerikanë që të mobilizohen urgjentisht për zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, për të ndalur atë që e përshkroi si një rrezik real për një marrje autokratike të pushtetit nga Donald Trump.

Duke folur në një forum për autoritarizmin, të organizuar nga Center for American Progress në Uashington, Cseh paralajmëroi se përvoja e Hungarisë nën Viktor Orbán duhet të shërbejë si mësim i qartë për ata që duan të mbrojnë demokracinë amerikane, shkruan Guardian.

“Shumë amerikanë mendojnë se kjo është diçka që u ndodh vetëm të tjerëve. Por kjo është pikërisht mënyra se si fillon rënia. Ne në Hungari e vumë re shumë vonë. Autokracia na kaloi si tren dhe nuk kuptuam sa larg kishte shkuar”, tha Cseh, anëtare e lëvizjes opozitare Momentum Movement.

Ajo theksoi se Trump dhe lëvizja e tij “MAGA” kanë marrë si model pikërisht sistemin e ndërtuar nga Orbán dhe partia e tij Fidesz, që në 15 vitet e fundit ka vendosur kontroll thuajse total mbi gjyqësorin, mediat dhe universitetet në një vend anëtar të BE dhe NATO.

Deputetja hungareze u bëri thirrje qytetarëve, aktivistëve dhe Partisë Demokrate të ndërtojnë një lëvizje të gjerë, përfshirëse dhe të re, që nuk mbështetet më tek “fytyrat e zakonshme” që nuk ngjallin më besim, por tek liderë vizionarë, që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara dhe e kuptojnë rrezikun nga brenda”.

“Dilni në protesta, marshoni, qëndroni pranë çdo grupi që sulmohet, qoftë edhe nëse nuk i përkisni atij grupi. Bashkëmoshatarët tuaj, fqinjët tuaj, kanë nevojë për mbështetjen tuaj,” apeloi ajo.

Cseh theksoi se lufta ndaj autokratëve si Trump apo Orbán nuk mund të fitohet me qasje teknike apo juridike, por vetëm nëse opozita ofron diçka që njerëzit ndjejnë se u përket.

“Autokratët nuk janë të mirë në qeverisje. Prandaj fokusi duhet të kthehet tek jeta reale – kostoja e jetesës, shëndetësia, arsimi. Këto janë temat që prekin njerëzit, jo thjesht diskutime ligjore mbi institucionet,” tha ajo.

Deklaratat e saj vijnë ndërkohë që në Hungari, kryeministri Viktor Orbán po përballet me rrezikun më të madh elektoral në vite, pasi sondazhet tregojnë se mund të humbasë zgjedhjet e ardhshme ndaj partisë opozitare Tisza, të udhëhequr nga Péter Magyar, një ish-aleat i tij.

Top Channel