Një panel mozaiku erotik, i vjedhur nga Pompeii nga një kapiten gjerman i Wehrmacht-it gjatë Luftës së Dytë Botërore, është rikthyer më në fund në vendin e tij të origjinës —në rrënojat e lashta romake të Pompeiit.

Relikja, që përshkruan një çift të përqafuar dhe daton nga mesi i shekullit të parë para Krishtit deri në shekullin e parë pas Krishtit, ishte bërë pjesë e trashëgimisë së një qytetari të ndjerë gjerman. Ai e kishte marrë mozaikun si dhuratë nga një oficer përgjegjës për zinxhirin e furnizimit të ushtrisë naziste në Itali.

Zbulimi i prezencës së mozaikut në Gjermani u bë vetëm pas vdekjes së zotëruesit të tij. Familjarët e tij kontaktuan skuadrën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Karabinierëve italianë në Romë për t’u këshilluar sesi ta dorëzonin veprën autoriteteve italiane.

Pas verifikimit të origjinalitetit të mozaikut – që mendohet të ketë zbukuruar dyshemenë e një dhome gjumi në një shtëpi në Pompeii – riatdhesimi i tij u organizua nga konsullata italiane në Stuttgart.

Për momentin, mozaiku do të ruhet në Pompeii Antiquarium, muzeu që strehon relikte të gjetura gjatë gërmimeve në parkun arkeologjik, në pritje të studimeve dhe analizave të mëtejshme.

“Çdo artefakt i plaçkitur që kthehet është një plagë që shërohet,” u shpreh Gabriel Zuchtriegel, drejtori i parkut arkeologjik të Pompeit. “Plaga nuk qëndron aq në vlerën materiale të veprës, por në rëndësinë e saj historike, e cila dëmtohet rëndë nga trafikimi i paligjshëm i antikiteteve.”

Zuchtriegel shtoi se origjina e saktë e mozaikut mbetet e panjohur dhe mund të mos zbulohet kurrë plotësisht. Megjithatë, do të kryhen analiza arkeometrike dhe kërkime të tjera për të përcaktuar sa më shumë rreth historikut të tij.

Që nga krijimi në vitin 1969, njësia speciale e Karabinierëve ka rikuperuar mbi 3 milionë artefakte të vjedhura nga vende kulturore italiane.

Në një rast të ngjashëm, në vitin 2021, gjashtë fragmente afreskesh murale u kthyen në Itali. Ato ishin marrë nga vilat e lashta romake në Stabiae dhe ishin trafikuar gjatë gërmimeve të paligjshme në vitet 1970, për t’u shitur më vonë në tregjet e antikitetit në SHBA, Zvicër dhe Britani.

Raste të tilla nuk mungojnë as në mesin e turistëve. Në vitin 2020, një grua kanadeze ktheu disa fragmente të vjedhura nga Pompeii, duke pretenduar se objektet ishin “të mallkuara” dhe i kishin sjellë fatkeqësi për vite të tëra.

Pompei u varros nën hirin e malit Vezuv pas shpërthimit katastrofik në vitin 79 pas Krishtit dhe qëndroi i fshehur deri në zbulimin e tij në shekullin e 16-të.

Top Channel