
Marta Kos vazhdon të përcjellë sinjale optimizmi për rrugën e vendit tonë drejt BE-së. “Bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë më shpejt se kurrë.
Javën e kaluar, në Parlamentin Europian, përsërita se avancimi në negociata është një shenjë e qartë e angazhimit të saj dhe mbështetjes së vazhdueshme të BE-së. Përfshirja e të gjithë shoqërisë do të jetë thelbësore për të arritur qëllimin e Shqipërisë që negociatat të mbyllen deri në vitin 2027”, ka shkruar Komisionerja e Zgjerimit në profilin e saj në Facebook.
Kos e ka bërë të qartë se BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë në krah të vendit tonë, teksa apelon edhe më shumë angazhim për të bërë të mundur ambicien që ka shprehur qeveria, për të mbyllur të gjithë kapitujt brenda dy vjetësh.
“Përparimi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi sinqerisht të përkushtuar për të përcaktuar një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE. Zgjerimi është një projekt gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe kërkohet angazhim i plotë nga e gjithë shoqëria shqiptare për të arritur objektivin ambicioz, por realist, të mbylljes së të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027”, ka qenë komenti i saj, që vjen në vazhdën e pohimeve se “Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërkohë që BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar te meritat.”
Javën që shkoi, u miratua me 502 vota pro dhe 120 kundër progres raporti për Shqipërinë, që vlerësonte ecurinë në rrugën europiane.
Top Channel