Policia zbardh arsyen e vrasjes së Renis Dobrës! E mbytën me litar, 4 vrasësit nuk ishin veshur si policë

16/07/2025 11:36

Policia ka zbardhur ngjarjen tronditëse të ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut në Mat, ku u gjet i vrarë 23-vjeçari Renis Dobra.

Petrit Hoxha alias Petrit Çakrri, 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”;

Fatjon Bushgjokaj, 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj, vëllezërit e Fatjonit.

Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, Renis Dobra. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet mbytjes me litar.

Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit “C”, pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.

Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.

23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.

Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale.

Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Top Channel