
Gjykata Supreme në shqyrtimin e ligjshmërisë së Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, i cili ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti, ka konstatuar se është në kundërshtim me dispozitat ligjore e kushtetuese.
Kjo për faktin se ministrit përgjegjës për nënshkrimin e tij, Hekuran Muratit, i kishte përfunduar mandati në kohën kur ka hyrë në fuqi akti nënligjor.
Krahas kësaj, Supremja ka specifikuar se mandati i qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjecar të Kuvendit e njëkohësisht, mandati i anëtarëve të qeverisë përfundon me zgjedhjen e tyre si deputetë të Kuvendit.
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar”, thuhet në aktgjykimin që është i aplikueshëm për të gjithë kabinetin qeveritar në detyrë.
Qeveria e Kosovës e ka parë aktgjykimin si të “pabazuar në ligj dhe se përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore”. Përpos kësaj, ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka thënë se gjykatësit e Supremes nxorën një vendim absurd.
Akuzat e Muratit i kanë parë të papranueshme bashkësia ndërkombëtare.
“Sulmet kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, deklarim ky që është mbështetur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në një kundër-reagim, Gjykata Supreme kërkon nga institucionet të zbatojnë vendimin e njëkohësisht të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar aktgjykimin e Supremes në Prokurorinë Speciale si provë shtesë në 17 kallëzimet penale që kanë bërë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe kabinetit të tij e Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga ata të mos ushtrojnë funksion tjetër përpos atij të deputetit.
Besian Mustafa – Deputet, LDK: “Kanë zaptuar qeverinë, kanë zaptuar kryeministrinë dhe kanë zaptuar gjithë ato ministri ku ata vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme, jashtë kushtetuese”.
Përparim Gruda – Deputet, PDK: “Kërkoj sot kryeministrit në detyrë dhe ministrave në detyrë që të lirojnë funksione ekzekutive duke zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe të vazhdojnë të mbajnë vetëm funksionin e deputetit”.
Që nga 15 prilli nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës, duke e pamundësuar kështu edhe formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.
Top Channel