Kreu i organizatës për migracionin thirrje BE-së: Shtoni dëbimet e migrantëve

16/07/2025 08:24

Kreu i një organi me ndikim i financuar nga Bashkimi Evropian për këshillim mbi migracionin ka bërë thirrje që blloku evropian të forcojë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar në kuadër të paktit të ri për migracionin dhe ka mbrojtur organizatën e tij ndaj kritikave për shkelje të të drejtave të njeriut.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare për Politikat e Migracionit (ICMPD) mohoi përgjegjësinë për atë që e quajti “raste individuale” të abuzimeve me të drejtat e njeriut nga autoritetet në vendet ku vepron organizata e tij.

Michael Spindelegger, ish-zëvendëskancelar nga Partia Popullore Austriake konservatore, foli në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, ndërsa Brukseli po përballet me presion për të ndaluar apo dëbuar migrantët, për shkak të forcimit të partive të djathta ekstreme që kanë qasje kundër migracionit në mbarë Evropën.

Pakti i migracionit i BE-së, i miratuar vitin e kaluar dhe që do të hyjë në fuqi në qershor 2026, forcon procedurat për azilkërkuesit në kufijtë e bllokut.

“Është shumë e rëndësishme që të krijohet një politikë funksionale e kthimit, gjithashtu në frymën e këtij pakti”, tha Spindelegger për AFP-në.

“Nëse dikush vjen, nuk merr azil dhe më pas qëndron gjithsesi, dhe nuk ndodh asgjë, kjo është një shenjë shumë e keqe për shtetin ligjor”, shtoi ai.

Ai theksoi se është e rëndësishme që personat e dëbuar të riintegrohen në vendet e tyre të origjinës në mënyrë që të mos largohen sërish.

Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave të urdhëruar të largohen nga BE-ja kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas të dhënave të BE-së.

Në lidhje me reformat e migracionit të BE-së, “treni është në lëvizje, kjo është e qartë, por ka ende stacione të ndryshme që duhen marrë në konsideratë”, tha Spindelegger.

ICMPD-ja, me seli në Vjenë, këshillon institucionet e Bashkimit Evropian dhe aktorë të tjerë për politikat e migracionit dhe zbaton projekte në Afrikë, Azi dhe Evropë.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht për projektet jashtë BE-së që synojnë të reduktojnë numrin e migrantëve që mbërrijnë në Evropë.

ICMPD-ja ka bashkëpunuar me rojet bregdetare të Tunizisë dhe autoritetet libiane, të cilat janë akuzuar për keqtrajtim të migrantëve.

“Më vjen shumë keq sa herë që vazhdojnë raste negative individuale (të abuzimeve me të drejtat e njeriut). Ne nuk mund të marrim përgjegjësi për to”, tha Spindelegger.

Ai theksoi se kurset e trajnimit të organizuara nga ICMPD-ja për rojet kufitare në vendet tranzit përfshijnë edhe trajnim mbi të drejtat e njeriut.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësime edhe për planet e Komisionit Evropian, të paraqitura në maj, që synojnë të lehtësojnë dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta për përpunimin e kërkesave të tyre.

Kjo propozim shihet si një hap drejt krijimit të qendrave jashtë BE-së që do të funksiononin si pika kthimi për migrantët.

Për të hyrë në fuqi, propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare. ICMPD-ja ka 21 vende anëtare, kryesisht nga BE-ja, dhe një staf prej më shumë se 500 personash. E themeluar nga Austria dhe Zvicra në vitin 1993, organizata vepron në më shumë se 90 vende. Rreth 70 për qind e buxhetit vjen nga Komisioni Evropian./Rel

Top Channel