Njeriu që shoqëroi Vjosa Osmanin në disa takime javën e kaluar në SHBA, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, nuk i sheh si problematike deklaratat e saj lidhur me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, përkundrazi.

Edhe nëse administrata amerikane nuk është plotësisht e fokusuar te Kosova tani, është e rëndësishme të vazhdohet dialogu dhe të kërkohen aleatë brenda saj, u shpreh ai në një intervistë për Radion Europa e Lirë, duke shtuar se “është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për atëherë kur të vijë momenti i duhur”.

Ish zyrtarit të lartë iu kërkua të komentonte mbi deklaratat e Osmanit se Trump ka parandaluar tani vonë një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë. Fried tha se nuk i di detajet. “…por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump”, pohon ai.

Sa për ngërçin e krijuar në Kosovë, ku prej tre muajsh nuk ka një Kuvend funksional, ai mendon se vendi ka nevojë për një qeveri funksionale, por i duhet edhe aftësi për t’u përballur me sfidat e saj në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike.

Fried ka bindjen se ngërçi i zgjatur politik nuk është problem në vetvete, për aq kohë sa zgjidhet me formimin e një qeverie që mund ta bëjë punën e vet.

“Nuk jam i alarmuar nga problemet aktuale, por Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e aftë të bashkëpunojë me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe të përballet me sfidat e brendshme – përtej problemeve që ka me Serbinë”, ishte komenti i tij.

 

 

Top Channel