
Vjosa Osmani e akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, presidentja e Kosovës nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme të saj mbi rolin e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës mes dy vendeve.
Nga Riga e Letonisë, ku u takua me presidentin Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra.”
Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve. Ne nuk duhet t`i fusim kurrë në të njëjtin thes agresorin dhe viktimën. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht duhet të mbrohemi. Asnjëherë nuk kemi sulmuar e nuk kemi pushtuar asnjë centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sacrificë”, tha ajo.
Osmani u gjend së fundi në mesin e një polemike pasi tha gjatë një fjalimi në Washington disa ditë më parë se Trump kishte parandaluar tani vonë një situatë të rrezikshme tensioni mes dy vendeve, e tha se kishte “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
Por i i dërguari i Trumpit për misione speciale, Richard Grenell e kritikoi deklaratën e saj, duke e akuzuar kryetaren e shtetit të Kosovës se kishte tjetërsuar fjalët e shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Top Channel