
Tre gra janë arrestuar nën dyshimin për veprimtari terroriste pasi një furgon u përplas qëllimisht në gardhin e jashtëm të një kompanie të mbrojtjes në veri të Edinburgh-ut.
Policia e Skocisë njoftoi se gratë, të moshave 31, 34 dhe 42 vjeç, u ndaluan pas një incidenti në zonën Crewe Road North këtë të martë. Sipas policisë, Njësia Kundër Terrorizmit po udhëheq hetimet, ndërsa theksohet se incidenti po trajtohet si i qëllimshëm, por pa ndonjë kërcënim të mëtejshëm për publikun, raporton Sky News.
Grupi aktivist Shut Down Leonardo, që synon të ndërpresë funksionimin e kompanisë italiane të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, mori përgjegjësinë për sulmin. Në një postim në rrjete sociale, grupi publikoi foto të furgonit të përplasur, mbi të cilin shihet flamuri i Palestinës dhe forcat policore që ndodhen në vendngjarje.
Grupi pretendon se fabrika në fjalë prodhon pjesë për avionët luftarakë izraelitë F-35. Në një video të shpërndarë online, një përfaqësues i grupit shpjegon arsyet përse u shënjestrua objekti: “Ne jemi subjekt i kontrolleve të eksportit nga qeveria britanike dhe nuk furnizojmë pajisje direkt për Izraelin. E drejta për protestë paqësore është themelore, por aktivitetet agresive dhe të dhunshme nuk kanë vend në shoqërinë tonë”.
Leonardo theksoi se klienti kryesor i kompanisë është Ushtria Britanike dhe se angazhimi i saj është në funksion të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, grupi Palestine Action, tashmë i shpallur organizatë terroriste në Mbretërinë e Bashkuar, kishte ndërmarrë një veprim të ngjashëm në mars, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike të së njëjtës fabrikë në Edinburgh.
Top Channel