
Akuzave për farsë elektorale Sali Berisha i bashkëngjiti edhe fondet e bujqësisë.
“Rama u kujtua në vitin elektoral të shpërndajë 200 milionë euro garanci 70 përqind të kredive të buta për fermerët. Natyrisht jo për fermerin e vërtetë, por për fermerët e qeverisë, për fermerët e lidhur me qeverinë dhe kundrejt shpërblimeve të mëdha në vota“-u shpreh Berisha.
Dy ishin skemat që sipas kryedemokatit u zbatuan për blerjen e votave të fermerëve më 11 maj. Garancia sovrane dhe programi kombëtar i subvencioneve në bujqësi.
“Kështu që 200 mln euro për garanci sovrane dhe 44 milionë euro për projekte si grante për fermerët, të dhëna në periudhë elektorale, kanë një peshë të jashtëzakonshme në mbledhjen e votave nga fermerët. Ju i patë, shiko çfarë kanë bërë. Kanë dhënë vetëm 16 mijë, kanë lënë 70 mijë të tjera në pritje, jep apo nuk jep votën. Për ta marrë apo për të mos e marrë. Po kështu edhe garancinë sovrane”.
Berisha akuzoi Ramën se ke shkelur ligjin elektoral që ndalon shpërndarjen e granteve në periudhë zgjedhore, në funksion të vjedhjes se zgjedhjeve.
Top Channel