Presidenti Volodymyr Zelensky ka emëruar Zëvendëskryeministren e Parë, Yulia Svyrydenko si Kryeministren e ardhshme të Ukrainës.

“Kam propozuar që Yuliia Svyrydenko të udhëheqë Qeverinë e Ukrainës dhe të rinovojë ndjeshëm punën e saj”, ka thënë Zelensky në një postim në X.

“Pres me padurim prezantimin e planit të veprimit të qeverisë së re në të ardhmen e afërt”, ka shtuar ai.

Zelensky theksoi se ishte takuar me Svyrydenkon më herët gjatë ditës për të diskutuar bashkëpunimin me SHBA-në dhe Evropën, forcimin e ekonomisë, rritjen e prodhimit të armëve dhe reformimin e degës ekzekutive. Sipas Kushtetutës së Ukrainës, Parlamenti emëron qeverinë.

Që Svyrydenko të bëhet kreu i ardhshëm i qeverisë, Kryeministri Denys Shmyhal duhet të paraqesë zyrtarisht dorëheqjen e tij në Parlament, i cili më pas është i detyruar të votojë për këtë çështje.

Nëse Parlamenti mbështet dorëheqjen e Shmyhal, qeveria jep dorëheqjen dhe ligjvënësit kanë 30 ditë për të votuar për kryeministrin e ardhshëm.

Seanca e radhës e Parlamentit do të fillojë këtë javë. Partia Shërbëtore e Popullit e Zelensky kontrollon shumicën e vendeve, të paktën 231 nga 450, dhe pritet të mbështesë shpejt vendimin e presidentit.

Aludimet për zëvendësimin e Shmyhal – kryeministrit me shërbimin më të gjatë në vend – kanë qarkulluar që nga vera e kaluar.

Edhe pse Zelensky zëvendësoi disa zyrtarë në shtator 2024, Shmyhal mbeti në detyrë.

Top Channel